Lufta në Lindjen e Mesme godet turizmin në Shqipëri – Rënie e ndjeshme nga vendet arabe dhe Kosova

Lufta në Lindjen e Mesme godet turizmin në Shqipëri – Rënie e ndjeshme nga vendet arabe dhe Kosova

SHQIPËRI – Konflikti në Lindjen e Mesme dhe mbyllja e hapësirës ajrore mes Iranit dhe Izraelit ka ndikuar direkt në fluksin e turistëve që vinin nga ky rajon drejt Shqipërisë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në 5 muajt e parë të vitit kishin ardhur mbi 7,600 turistë nga Lindja e Mesme, një rritje me 49% krahasuar me një vit më parë. Por lufta e ka ndërprerë këtë fluks menjëherë.

“Kishte rritje nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Izraeli për shkak të linjave direkte. Fatkeqësisht, kjo prurje është zhdukur pas mbylljes së hapësirës ajrore. Ne si tur-operatorë jemi mes dy zjarresh: partnerët kërkojnë mbajtjen e rezervimeve, ndërsa hotelet kërkojnë pagesa,” – tha Rahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar.

Mungesë uji dhe ndërtime pa kriter
Përveç krizës nga jashtë, turizmi shqiptar përballet edhe me probleme të brendshme serioze: mungesë uji në qytete bregdetare si Durrësi, ndotje akustike, dhe ndërtime pa kriter përgjatë vijës bregdetare.

“Në hotelet e Durrësit mungon uji, ndaj zbrazin pishinat për të mbushur depozitat. Turistët dalin nga plazhi dhe nuk kanë ujë të lahen,” – shprehen operatorët turistikë.

Në zonat turistike ka gjithashtu zhurmë të lartë dhe kantierë ndërtimi aktivë, të cilat po ndikojnë negativisht në përvojën e pushuesve. Në shumë raste, guidat raportojnë se turistët ankohen se nuk kanë ardhur për pushime, por sikur për punë ndërtimi.

Shqiptarët e Kosovës po e braktisin Shqipërinë për destinacione të tjera
Turistët nga Kosova, tradicionalisht mbështetës të turizmit shqiptar, po orientohen drejt destinacioneve të tjera si Greqia, për shkak të çmimeve më të përballueshme dhe ofertave të strukturuara më mirë.

“Kemi një reduktim të ndjeshëm të qytetarëve nga Kosova. Shumë prej tyre zgjedhin Halkidikin apo destinacione me resorte të mëdha,” – shprehen tur-operatorët.

Edhe turistët nga Europa po ulin ndjeshëm qëndrimin e tyre në Shqipëri, duke preferuar destinacione të reja dhe më të strukturuara.

Rreziku i ngadalësimit të sezonit
Ndërkohë që qeveria synon të arrijë në 15 milionë turistë për vitin 2025, operatorët turistikë paralajmërojnë një ngadalësim të sezonit veror për shkak të këtyre problematikave. Shpresa mbetet te grupet e organizuara, të cilat vijojnë të respektojnë kontratat dhe planifikimet paraprake.

Lajmi nga: Efrosina Papa
Efrosina Papa

Efrosina Papa

Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.

Komente

-