Administrata Tatimore ka publikuar zyrtarisht listën e pagave indikative për profesionet në sektorin e turizmit, një prej sektorëve me punësim sezonal dhe shpesh të paformalizuar. Në qendër të vëmendjes është kamarieri, pozicioni më i përhapur në hotele, restorante dhe bare, për të cilin paga mujore minimale nuk duhet të jetë më pak se 70.000 lekë.
Nga pastruesi te kryekuzhinieri
Lista përfshin një gamë të gjerë profesionesh që operojnë në shërbimet turistike. Ja disa nga nivelet orientuese të pagave mujore:
Punonjës pastrimi plazhi / Roje parkimi – 55.000 lekë
Kamarierë / Banakierë / Arkëtarë – 70.000 – 80.000 lekë
Ndihmës kuzhinierë / Pastiçierë – 85.000 – 100.000 lekë
Shefa kuzhine / Shefa pastiçerie – deri në 130.000 – 140.000 lekë
Tatimet bëjnë të ditur se kjo listë ka karakter udhëzues, por do të përdoret si referencë për vlerësimin e rrezikut tatimor në deklarimin e pagave.
Kontroll më i fortë ndaj pagave të zbritura
Administrata Tatimore thekson se subjektet që deklarojnë paga më të ulëta se niveli i përcaktuar për profesionin përkatës do të konsiderohen si tatimpagues me risk të lartë. Këto biznese do t’i nënshtrohen kontrolleve të thelluara dhe hetimeve tatimore, me qëllim evidentimin e evazionit dhe mosrespektimit të detyrimeve ligjore.
Ky vendim synon të formalizojë tregun e punës në turizëm, veçanërisht në sezonin veror, ku punësimi rritet ndjeshëm dhe shpesh nuk pasqyrohet realisht në sistemin tatimor.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente