Liqeni i Viroit në Gjirokastër, tharë plotësisht prej muajsh – Një simbol i humbur i natyrës dhe turizmit

Liqeni i Viroit në Gjirokastër, tharë plotësisht prej muajsh – Një simbol i humbur i natyrës dhe turizmit

Liqeni i Viroit, një nga monumentet natyrore më të njohura në hyrje të Gjirokastrës, është tharë plotësisht prej më shumë se katër muajsh. Baseni i tij është mbuluar nga barërat dhe bimësia spontane, ndërsa mungesa e ujit ka zhdukur përkohësisht bukurinë karakteristike që dikur tërhiqte vizitorë vendas dhe të huaj.

Tre vite më parë, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, premtonte se liqeni nuk do të ishte më kurrë i thatë, duke garantuar ujë gjatë gjithë vitit. Në maj të vitit 2020, ai u shfaq duke lundruar në ujërat e liqenit me një skaf, duke e cilësuar këtë si fillimin e një transformimi turistik për zonën.

Megjithatë, realiteti sot është krejt ndryshe. Projekti i premtuar për furnizimin e liqenit me ujë nga lumi i Kardhiqit duket se nuk është zbatuar, ndërsa mungesa e ndërhyrjeve konkrete po zhgënjen banorët dhe vizitorët. Ky atraksion natyror, që për vite ka qenë simbol i gjelbërimit dhe freskisë në hyrje të qytetit, po humbet shkëlqimin e tij.

Sipas një turisti francez që vizitoi zonën me familjen:

"Ne erdhëm nga Franca dhe na pëlqen shumë natyra, ndaj vendosëm të kalonim drekën këtu. Në foto duket si një liqen, por uji mungon krejtësisht. Do të ishte shumë bukur sikur të kishte ujë, pasi i jep jetë kësaj zone."

Liqeni i Viroit është zonë e mbrojtur që nga viti 1982, me një sipërfaqe prej rreth 17.5 hektarësh. Tharja e tij përbën jo vetëm një dështim të premtimit publik, por edhe një humbje të rëndësishme për imazhin dhe turizmin natyror të Gjirokastrës.

Lajmi nga: Entjola Budo
Entjola Budo

Entjola Budo

15 vite eksperience pune ne media audiovizove. Puna ne terren pasioni i saj.

Komente

-