LeBron James pranë një rekordi historik, Lakers dominojnë Atlanta Hawks në Los Angeles

LeBron James pranë një rekordi historik, Lakers dominojnë Atlanta Hawks në Los Angeles

LeBron James vazhdon të shkruajë histori në NBA, edhe pas 23 sezonesh në elitën e basketbollit amerikan. Kapiteni i Los Angeles Lakers mbetet në garë për titullin e pestë kampion, duke synuar t’i afrohet legjendës Michael Jordan, ndërsa rekordet personale vazhdojnë të shtohen.

Shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në NBA dhe katër herë kampion ishte shumë pranë një tjetër arritjeje historike në fitoren ndaj Atlanta Hawks. James iu afrua një tripëll-dabëlli, duke realizuar 31 pikë, 9 kërcime dhe 10 asistime. Nëse do ta kishte plotësuar këtë statistikë, ai do të ishte bërë lojtari më i vjetër në historinë e NBA-së që arrin një tripëll-dabëll.

Ky rekord mbetet ende në emër të Karl Malone, i cili e arriti këtë sukses me Utah Jazz në vitin 2003, në moshën 40 vjeç e 127 ditë. LeBron James ka mbushur 41 vjeç më 30 dhjetor, ndërsa hera e fundit që ka realizuar një tripëll-dabëll daton në shkurt të vitit 2025.

Me kontributin e kapitenit dhe të yllit tjetër të skuadrës, Luka Doncic, Lakers siguruan një fitore të thellë 141-116 ndaj Atlantës në Los Angeles, duke i dhënë fund një serie prej tre humbjesh radhazi.

Fillimisht, James nuk pritej të zbriste në parket, për shkak të menaxhimit të minutave në këtë fazë të karrierës, por ai vendosi të luante dhe pas ndeshjes deklaroi se ishte ndier shumë mirë fizikisht.

Los Angeles Lakers renditen aktualisht në vendin e pestë në Konferencën Perëndimore, me një diferencë nga Oklahoma që kryeson, por shumë pranë vendit të dytë, që mbahet nga San Antonio.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-