Lajm i mirë nga Gjirokastra: Kali i Qyqes po rikthehet dhe folezon sërish në natyrë

Lajm i mirë nga Gjirokastra: Kali i Qyqes po rikthehet dhe folezon sërish në natyrë

Një zhvillim premtues për biodiversitetin vjen nga Gjirokastra: Kali i Qyqes, një ndër speciet e rralla dhe të rrezikuara të Shqipërisë, ka filluar të folezojë në disa zona të këtij qarku.

Ornitologu Erald Xeka, në një prononcim për Blu Televizion, ka konfirmuar se prania e kësaj specie në Gjirokastër është një shenjë shumë e mirë për ripërtëritjen e saj.
“Ky është aktualisht i vetmi vend ku Kali i Qyqes ka vendosur të qëndrojë dhe të riprodhohet, duke shtuar numrin e individëve të vet,” shprehet Xeka.

Sipas tij, terreni natyror i Gjirokastrës ofron kushte të përshtatshme për këto shpendë, megjithatë mbetet një kërcënim serioz rreziku nga gjuetia e paligjshme dhe përdorimi i helmeve kimike nga barinjtë, që mund të ndikojnë negativisht në mbijetesën e kësaj specieje delikate.

Kali i Qyqes, një shpend i rrallë që jeton pranë zonave të banuara, qëndron në Shqipëri gjatë pranverës dhe verës, ku ndërton folenë dhe rrit të vegjlit e vet. Në fund të gushtit ose fillim të shtatorit, ai migron drejt kontinentit afrikan për të kaluar dimrin.

Rikthimi i Kalit të Qyqes në habitatin shqiptar përfaqëson një aset të vyer kombëtar dhe një sinjal pozitiv për ruajtjen e natyrës sonë unike.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-