Një epokë e re nis për njërin prej klubeve më legjendarë të NBA-së. Los Angeles Lakers, pas 46 vitesh në pronësi të familjes Buss, është në prag të ndryshimit të pronarit, me një marrëveshje që pritet të tronditë botën e sportit.
Sipas mediave amerikane, familja Buss ka arritur një akord me Mark Walter, CEO i “TWG Group”, për shitjen e shumicës së aksioneve të klubit për plot 10 miliardë dollarë. Marrëveshja mbetet në pritje të miratimit nga NBA, e cila ka të drejtën e vetos në raste të tilla.
Pavarësisht shitjes, Jeanie Buss pritet të mbetet në rol zyrtar si “Guvernatore”, duke përfaqësuar klubin në mbledhjet e pronarëve të ligës.
Kjo është hera e parë që familja Buss nuk do të ketë më kontrollin e shumicës së aksioneve të klubit, që nga viti 1979 kur Jerry Buss bleu Lakers për 67.5 milionë dollarë. Gjatë drejtimit të tij, Lakers përjetuan epokën e artë të “Showtime”-it me Magic Johnson dhe fituan pesë tituj kampionë. Më pas erdhën pesë tituj të tjerë nën drejtimin e Kobe Bryant, Shaquille O’Neal dhe trajnerit Phil Jackson. Klubi fitoi edhe një titull të rëndësishëm në vitin 2020, me LeBron James si lider.
Shitja për 10 miliardë dollarë shënon një nga marrëveshjet më të mëdha në historinë e sportit amerikan, duke konfirmuar rëndësinë dhe fuqinë ekonomike të brendit “Lakers” në arenën globale.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente