Kuvendi miraton një sërë projektligjesh dhe emërimesh të rëndësishme në seancën plenare

Kuvendi miraton një sërë projektligjesh dhe emërimesh të rëndësishme në seancën plenare

Kuvendi ka miratuar një paketë të gjerë projektligjesh dhe vendimesh gjatë seancës plenare të sotme, që variojnë nga marrëveshje ndërkombëtare dhe projekte infrastrukturore deri te ndryshime ligjore dhe emërime në institucione të pavarura.

Me 79 vota pro dhe 21 abstenim, u miratua projektligji për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe fondacionit gjerman Hanns-Seidel, i ratifikuar në vitin 2007. Po ashtu, me 100 vota pro, Kuvendi votoi aderimin e Shqipërisë në Traktatin e Marrakeshit, që lehtëson aksesin në veprat e botuara për personat e verbër ose me vështirësi në lexim.

Me 102 vota pro u miratua pranimi i ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, që lidhen me krimin e agresionit. Gjithashtu, u miratua aderimi në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual në rajonin e Mesdheut, me 100 vota pro.

Paketa e projekteve infrastrukturore hekurudhore u miratua në disa akte të veçuara. Marrëveshja e grantit me Bankën Evropiane për Investime për projektin e korridorit hekurudhor VIII (faza I) u votua me 79 vota pro dhe 21 kundër. Me të njëjtin numër votash u miratua kontrata financiare për të njëjtin projekt, si edhe marrëveshja e huas me BERZH për seksionin Durrës–Rrogozhinë. Po ashtu, Kuvendi miratoi me 79 vota pro dhe 22 kundër marrëveshjen e garancisë për projektin solar të KESH-it me BERZH.

U miratuan gjithashtu projektligje që prekin sektorin e mjedisit dhe të mineraleve. Ndryshimet në ligjin për mbetjet, të cilat zgjerohen përgjegjësitë e prodhuesve, morën 79 vota pro dhe 22 kundër. Ndryshimet në ligjin për sektorin minerar u votuan me 78 pro dhe 23 kundër, ndërsa ato në ligjin për shërbimet biocide morën 79 pro dhe 24 kundër.

Ndryshimet në ligjin për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit europian u miratuan me 79 vota pro dhe 23 kundër, ndërsa ndryshimet në ligjin për Avokatin e Popullit kaluan me 101 vota pro.

Kuvendi miratoi edhe dy emërime të rëndësishme institucionale. Me 78 vota pro dhe 22 kundër, Adela Xhemali u zgjodh Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ndërsa me 79 vota pro, një abstenim dhe katër kundër, Lefteria Lleshi Luzi u zgjodh Komisionere për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil.

Në fund të seancës, me 100 vota pro, u miratua ngritja e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, pjesë e Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-