Kurti shpreh mbështetje për veprimet amerikane në Venezuelë dhe thekson luftën kundër narkotikëve

Kurti shpreh mbështetje për veprimet amerikane në Venezuelë dhe thekson luftën kundër narkotikëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar mbështetje të plotë për operacionin e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, i udhëhequr nga presidenti Donald Trump, duke e cilësuar atë si pjesë të rëndësishme të përpjekjeve globale kundër trafikimit të drogës.

Sipas kryeministrit, ndëshkimi i aktorëve shtetërorë të përfshirë në veprimtari kriminale lidhet drejtpërdrejt me efektivitetin e luftës ndaj narkotikëve. Ai ka theksuar se Kosova, në cilësinë e aleates strategjike të SHBA-së dhe NATO-s, qëndron e vendosur përkrah çdo iniciative që synon mbrojtjen e rendit demokratik dhe sigurisë ndërkombëtare.

Në reagimin e tij, Kurti ka nënvizuar gjithashtu nevojën për vigjilencë të shtuar ndaj aktorëve rajonalë që, sipas tij, tentojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste apo ushtarake, duke e lidhur këtë shqetësim me sfidat aktuale të sigurisë në rajon.

“Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se “Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, duke ritheksuar nevojën për vëmendje të shtuar ndaj rreziqeve që prekin sigurinë rajonale.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-