Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pati një takim të rëndësishëm me Brendan Hanrahan, zyrtar të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane. Takimi, i cili u zhvillua në rezidencën e ambasadorit amerikan, kishte si fokus diskutimin mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Temat kryesore të diskutimit përfshinin bashkëpunimin ekonomik, diplomacinë dhe mbrojtjen. Kryeministri Kurti shprehu falënderime për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën dhe theksoi angazhimin e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm i Amerikës.
“E falënderova Brendan Hanrahan për mbështetjen e vazhdueshme dhe diskutuam fushat për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomacinë dhe mbrojtjen”, shkroi Albin Kurti në rrjetin social “X”.
Në këtë takim ishin të pranishëm gjithashtu ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Komuniteteve dhe Kthimit, Nenad Rashiq.
Vizita e Brendan Hanrahan në Kosovë pas Serbisë, po shihet si një rikthim i vëmendjes amerikane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor, një moment i rëndësishëm për marrëdhëniet diplomatike dhe strategjike të rajonit.
Komente