Një ngjarje tronditëse ka tronditur opinionin publik në Indi: një grua e moshuar u braktis nga familja e saj dhe u la buzë rruge, në mes të natës. Pamjet e kamerave të sigurisë janë të ftohta, të pamëshirshme – një realitet që dikur na dukej i largët, por që gjithnjë e më shumë po bëhet edhe yni.
Braktisja e të moshuarve nuk është më një fenomen i izoluar në shoqëri të tjera. Është një sëmundje morale që po përhapet në heshtje edhe në Shqipëri, duke minuar vlerat për të cilat dikur krenohemi – respektin, nderin dhe kujdesin për prindërit dhe gjyshërit tanë.
Kujtojmë rastin tragjik në Korçë, ku një i moshuar u gjet i vdekur shumë muaj pasi kishte ndërruar jetë – askush nuk e kishte kërkuar. Apo rastin e nënës me dhjetë fëmijë, ku mes tyre kishte vetëm grindje për atë “kush do ta mbante”, sepse në fakt askush nuk donte të kujdesej për të.
Pyetja është e thjeshtë, por therëse:
A po shkojmë drejt një shoqërie që e lë të moshuarin në rrugë?
Faji nuk është vetëm i individit. Është një zinxhir përgjegjësish: familjet që dështojnë të ruajnë lidhjet, komunitetet që mbyllin sytë, institucionet që heshtin, dhe një shoqëri që nuk reagon.
Nëse nuk ndalemi sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Të moshuarit e sotëm janë ata që na rritën, na sakrifikuan gjithçka. Mënyra se si sillemi me ta është pasqyra më e qartë e moralit tonë si komb.
Sepse një shoqëri nuk matet me suksesin apo zhvillimin, por me mënyrën se si trajton më të dobëtit mes saj.
Komente