Kur sezoni veror kthehet në kaos. Vlora dhe cmimi  i mosplanifikimit

Kur sezoni veror kthehet në kaos. Vlora dhe cmimi i mosplanifikimit

Vlora, një qytet bregdetar me potencial të jashtëzakonshëm turistik, çdo verë kthehet në një skenë rrëmuje, pluhuri dhe improvizimi urban. Në vend që të lulëzojë dhe të mirëpresë mijëra turistë, qyteti mbushet nga makineri të rënda, kanale të hapura, trotuare të çara dhe një trafik që sfidon çdo përkufizim të durimit njerëzor. Vera në Vlorë nuk është më sinonim i qetësisë dhe relaksit. Është kthyer në një provë stresi për çdo banor dhe çdo turist. Nga qershori deri në fund gusht, qyteti shndërrohet në një kantier të pafund, ku plani i vetëm duket që është …mungesa e planit.
Ku është plani?
Pse çdo vit, pikërisht në muajt kur Vlora duhet të shfaqet në formën më të mirë të saj, fillojnë punimet më të mëdha?
Përse hapen kanale, shkatërrohen trotuare, ndërpriten lëvizjet dhe krijohen kolona kilometrike të trafikut?

Në çdo cep të qytetit, panorama është e njëjtë
Rruga e Bishtit të Kalldrëmit një rrugë e shkatërruar,që u ideua si një arterie për të lehtësuar trafikun ne bulevardin kryesor,
Transballkanikja , një arterie e bllokuar nga punimet dhe e mbushur me pluhur,
Rruga përpara Shkollës Nr.1 , shkatërruar lulishtja ekzistuese dhe hapja e nje kanali e cila është kthyer në një gropë të gjatë dhe mbuluar nga pluhuri,
Zona pranë Gjyqit të Vjetër, një kantier ndërtimi prej muajsh pa asnjë shenjë përfundimi.

E gjitha kjo, në kulmin e sezonit turistik dhe pasojat, më shumë se një bezdi. Kjo nuk është vetëm një çështje estetike apo e rehatisë së përditshme. Ky është dëm ekonomik, dëm social dhe dëm psikologjik për qytetarët dhe bizneset lokale.Turistët largohen me shijen e hidhur të një qyteti të paaftë për të menaxhuar infrastrukturën.Bizneset humbasin klientë, të ardhura dhe imazh.Banorët përballen me vonesa, nerva të shkatërruara dhe një ndjenjë të thellë zhgënjimi.
Në një kohë kur Vlora përpiqet të pozicionohet si destinacion turistik i rëndësishëm në Mesdhe, kjo pamje është e pafalshme.
Dhe pyetja e thjeshte e çdo qytetari sot është
A e dinë autoritetet lokale çfarë po ndodh?
A kanë lëvizur ndonjëherë në këmbë në qytet gjatë orëve të pikut?
A kanë parë fytyrat e irrituara të qytetarëve që presin me orë të tëra në trafik?
A kanë vënë re njerëzit që detyrohen të ecin mes pluhurit dhe gropave për të shkuar në punë, shkollë apo spitale?
A shohin me sytë e tyre kolonat kilometrike?
A kanë parë prindërit me fëmijë në karroca që kërkojnë një rrugë të kalueshme?
A kanë përjetuar frustrimin e qytetarëve që humbasin orë të tëra mes bllokimeve?
A janë të vetëdijshëm për dëmin që po i bëjnë jo vetëm imazhit të qytetit, por edhe ekonomisë së tij?
Turistët nuk kanë ardhur në Vlorë për të parë eskavatorë dhe pluhur. Ata kanë zgjedhur këtë qytet për të shijuar detin, qetësinë, peizazhet dhe kulturën lokale. Bizneset lokale nuk kanë nevojë për rrugë të mbyllura dhe për akses të bllokuar. Banorët nuk kanë perse të përballen me vonesa të pafundme, me ndotje akustike dhe me bllokime të panevojshme.
Nëse zyrtarët përgjegjës e dinë dhe nuk reagojnë, është një problem serioz i përgjegjësisë. Nëse nuk e dinë, është edhe më keq, është shenjë e shkëputjes totale nga realiteti.
Nuk jemi kundër zhvillimit, jemi kundër kaosit.
Askush nuk është kundër projekteve të reja, rrugëve më të mira apo infrastrukturës më moderne.
Përkundrazi, Vlora ka nevojë për transformim urban, për rrugë funksionale dhe shërbime cilësore. Por ajo që mungon është planifikimi i mençur dhe respekti për qytetin.
Vlora sot është një qytet me potencial të jashtëzakonshëm turistik. Një emër që promovohet gjithnjë e më shumë në hartat ndërkombëtare të turizmit. Dhe pikërisht tani, në kulmin e sezonit, e kemi kthyer në një skenë paslufte, ku njerëzit lëvizin mes pluhurit, zhurmës dhe trotuareve të shqyera.
Përse të mos realizohen këto punime në periudha më të qeta të vitit?
Nga shtatori deri në maj ku qyteti ka më pak ngarkesë. Ka më shumë hapësirë për punime. Ka më pak presion social dhe ekonomik.
Çfarë i pengon autoritetet të hartojnë një kalendar strikt të punimeve, ku muajt e verës të jenë të paprekshëm nga kantieret?
Ndaj ka ardhur koha që Bashkia e Vlorës dhe të gjitha institucionet përgjegjëse të ndalojnë këtë rreth vicioz të gabimeve të përvitshme.
Kërkohet një planifikim profesional, një kalendar publik, një menaxhim transparent i projekteve, dhe mbi të gjitha, një reflektim institucional.
Sezoni turistik nuk është periudha për të hapur rrugë. Është koha për të mirëpritur, për të fituar dhe për të ndërtuar imazh.Në fund të fundit, Vlora është shtëpia jonë. Dhe askush nuk dëshiron të jetojë çdo verë në një qytet të mbuluar nga pluhuri, bllokimet dhe zemërimi qytetar.
Ndaj në emër të qytetarisë kërkojmë vetëm planifikim , përgjegjësi dhe respekt.
Vlora nuk mund të vazhdojë të jetojë në këtë cikël të përvitshëm improvizimesh dhe rrëmuje urbane. Nuk mund të jetë çdo verë një përsëritje e të njëjtave gabimeve, të të njëjtit mungesë vizioni dhe të të njëjtës papërgjegjshmëri.

Ky qytet, me historinë, potencialin turistik dhe njerëzit e tij punëtorë, meriton më shumë.

Sot nuk po kërkojmë as më shumë, as më pak se kaq, një qytet të menaxhuar me mendje dhe zemër, një qytet që punon për mirëqenien e të gjithë atyre që jetojnë dhe vizitojnë Vlorën.

Në fund të ditës, nuk është vetëm çështje infrastrukturash, është çështje dinjiteti qytetar. Dhe për këtë, nuk do të ndalojmë së kërkuari.

Lajmi nga: Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri

Marieta Mërkuri

Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Komente

-