Prej dy ditësh, Lungomare u kthye në një skenë të hapur gëzimi, shijeje dhe aromash.
Ajri mbante erën e detit dhe të gatimeve të freskëta, njerëzit ndaleshin, shikonin, shijonin dhe qeshnin me njëri-tjetrin.
Vlora u bë ajo që të gjithë duam të jetë, një qytet që të fton ta jetosh me gjithë shqisat.
Panairi i Gastronomisë Detare, që nisi më 28 qershor, nuk ishte vetëm një ekspozim kulinar. Ishte një celebrim i jetës, i verës, i takimeve të papritura mes miqsh, fqinjësh, turistësh dhe qytetarësh që thjesht donin të shijonin diçka ndryshe.
Shefat e kuzhinës, me përkushtim, dashuri dhe profesionalizëm, sollën pjata që më shumë sesa ushqim… ishin art.
Ngjyra të ndezura, aroma deti, erëza të njohura dhe të reja dhe mbi të gjitha, ajo ndjesia e përbashkët që të lind kur diçka e bukur ndodh përballë syve të tu.
Fëmijë që vraponin mes stendave, prindër që ndanin një pjatë me fëmijët e tyre, turistë që me aparate në dorë fotografonin çdo detaj, të habitur nga ngrohtësia e atmosferës.
Në Lungomare kishte jetë.
Komentet më të sinqerta erdhën nga vetë qytetarët:
“Vlora duhet të ketë më shumë ditë si kjo.”
“Po, kështu e dua qytetin tim!”
“Sa mirë kur shikon që gjërat e bukura ndodhin me të vërtetë.”
Dhe këtë herë nuk mungoi as entuziazmi i organizatorëve, të cilët shprehen se ky është vetëm fillimi.
Ka shpresë që panairi të kthehet në një traditë të përvitshme, me pjesëmarrje edhe nga kuzhinat e vendeve fqinje, duke sjellë më shumë kulturë, më shumë shije, më shumë jetë.
Vlora ka nevojë për më shumë ngjarje të tilla.
Ne kemi nevojë të shohim më shpesh shembuj pozitivë, nisma kreative dhe momente që na bëjnë të ndalojmë për pak dhe të duartrokasim me zemër.
Sepse jeta është më e bukur kur ndahet me një pjatë të shijshme në dorë, me një mik pranë dhe me një qytet që më në fund po e gëzon veten!
Kur bëhen gjëra të bukur,
Duartrokasim me zemër!
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.
Komente