Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka shpërndarë sot një videomesazh sensibilizues në rrjetet sociale, ku apelon për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi në ruajtjen e mjedisit gjatë sezonit turistik.
Në këtë mesazh, Kumbaro thekson rëndësinë e bashkëpunimit midis qytetarëve dhe subjekteve që operojnë në zonat turistike për të siguruar plazhe dhe ambiente të pastra për të gjithë. Ajo apelon për veprime konkrete nga qytetarët që të ruajnë bukurinë e bregdetit dhe të mbrojnë natyrën.
“Ke shkuar në plazh këtë fundjavë? Shijoje bregdetin tonë të bukur dhe mos harro t’i hedhësh mbeturinat në vendin e tyre. Pa kontributin dhe kujdesin tënd, nuk ia dalim dot të kemi plazhe të pastra”, theksoi Kumbaro në videomesazhin e saj.
Ministrja përmendi se ruajtja e pastërtisë është një detyrë e përbashkët dhe se vetëm përmes një angazhimi të përhershëm mund të sigurojmë një bregdet të pastër dhe të shëndetshëm për vizitorët dhe brezat e ardhshëm. Fushata do të vijojë gjatë gjithë sezonit veror, me qëllim sensibilizimin e sa më shumë individëve për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e pasurisë natyrore të Shqipërisë.
Kjo iniciativë synon të nxisë qytetarët dhe turistët që të tregojnë më shumë kujdes për natyrën dhe të ndërgjegjësohen për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit në plazhet dhe zonat turistike të Shqipërisë.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente