Kultivuesit e ullirit në njësinë administrative Kurjan, në Roskovec, parashikojnë një vit të vështirë për prodhimin e ullirit. Sipas fermerëve, kushtet atmosferike të pafavorshme kanë çuar në një rënie drastike të prodhimit, duke e reduktuar atë me gati 50% në katër fshatrat e kësaj njësie: Mbërs, Vlosh, Kurjan dhe Ngjeqan. Ata theksojnë se ky është prodhimi më i ulët i ullirit që nga vitet e 90-ta.
Reshjet e dendura gjatë periudhës së lulëzimit dhe thatësira pasuese janë përmendur si faktorët kryesorë që kanë shkaktuar krizën në këtë sektor. Po ashtu, mungesa e një sistemi vaditës ka bërë që situata të bëhet edhe më e vështirë për fermerët.
Sinkron: Fermerët shprehen për situatën e vështirë të vitit
"Ky është një nga vitet më të vështira për fermerët e kësaj zone", shprehet Agur Shabanaj, specialist i bujqësisë pranë njësisë administrative Kurjan. Ai thekson se, përveç kushteve atmosferike të pafavorshme, mungesa e sistemit vaditës, i pamundur për t’u ndërtuar në këtë zonë kodrinore, ka rënduar edhe më tej situatën. "90% e territorit është e kultivuar me ullinj, dhe kjo është kultura bazë për ekonominë e shumicës së familjeve të kësaj zone," shton ai.
Një tjetër shqetësim i madh për fermerët është çmimi i ulët i vajit të ullirit, i cili po vazhdon t’i dëmtojë ata, pasi shumë familje kanë mbetur me stok të vajit të vitit të kaluar, i cili nuk është shitur ende. Po ashtu, mungesa e tregut për shitjen e produkteve dhe çmimet e larta të shërbimeve dhe plehrave bujqësore po i rëndojnë më shumë ekonomitë e familjeve.
Fermerët e kësaj zone kërkojnë mbështetje nga shteti për të përballuar këtë krizë. Ata theksojnë se përkundër mungesës së sistemit vaditës numri i rrënjëve të ullirit ka shënuar një rritje të madhe duke kaluar nga 35 mijë rrënjë që ishin para ndërrimit të sistemit në vitin 2025 në rreth 300 mijë rrënjë ullinj. Megjithatë, vështirësitë e tjera si çmimet e larta të plehrave dhe rrugët e papërshtatshme po e bëjnë akoma më të vështirë mbijetesën e fermerëve të zonës.
Në përfundim, fermerët kërkojnë mbështetje më të madhe nga institucionet shtetërore si dhe një plan konkret për zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve për bujqësinë, në mënyrë që të mund të përballojnë krizën dhe të ruajnë aktivitetin e tyre të kultivimit të ullirit.
E diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Bukuresht, në vitet 1998–2003, Marsela Topi ka ndërtuar një karrierë të gjatë dhe të qëndrueshme në fushën e medias, duke kontribuar në radio, televizione lokale dhe qendrore.
Me një përkushtim të vazhdueshëm ndaj informimit të saktë dhe profesional, ajo njihet për stilin e saj të matur, korrekt dhe të ndërtuar mbi parimin e objektivitetit gazetaresk.
Përvoja e saj shumëvjeçare është pasqyruar në mbulimin e ngjarjeve me rëndësi dhe në trajtimin e temave me ndjeshmëri publike, duke ruajtur gjithmonë integritetin dhe besueshmërinë si gazetare.
Komente