Një kullë mesjetare në rikonstruksion në qendër të Romës u shemb të hënën, duke lënë një punëtor të plagosur rëndë dhe një tjetër të bllokuar nën rrënoja. Ngjarja ndodhi pranë Koloseut, në strukturën historike të njohur si Torre dei Conti, një monument i ndërtuar në shekullin e 13-të.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin dramatik kur pjesë të kullës 30 metra të lartë u shembën përpara dhjetëra turistëve. Shikuesit e tronditur u larguan me nxitim ndërsa ndërtesa u përfshi nga retë e pluhurit dhe dëgjohej zhurma e fortë e shembjes së muraturës.
Një zëdhënës i shërbimit të zjarrfikësve deklaroi për agjencinë Reuters se operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë dhe situata mbetet e ndërlikuar për shkak të rrezikut të shembjeve të tjera. Sipas raportimeve, struktura pësoi të paktën dy shembje të njëpasnjëshme, ndërsa incidenti i dytë ndodhi gjatë ndërhyrjes së zjarrfikësve që po punonin me shkallë për të arritur në pjesët e sipërme të kullës.
Shembja fillestare ndodhi pak para mesditës, por fatmirësisht nuk ka raportime për kalimtarë të lënduar. Torre dei Conti ndodhet përgjatë Via dei Fori Imperiali, rrugës që lidh Piazza Venezia me Koloseun, një prej zonave më të frekuentuara të turistëve në Romë.
Kulla, e cila aktualisht është ende në këmbë, ka pësuar dëme të mëdha të brendshme dhe është rrethuar për arsye sigurie. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e shembjes, ndërsa punimet e rikonstruksionit janë pezulluar deri në njoftim të dytë.
Komente