Kryetarët e Listës Serbe rikthehen në pushtet në veri të Kosovës: Çfarë pritet të ndodhë më 5 dhjetor

Kryetarët e Listës Serbe rikthehen në pushtet në veri të Kosovës: Çfarë pritet të ndodhë më 5 dhjetor

Në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor do të mbahen seancat konstituive ku kryetarët e rinj nga Lista Serbe pritet të rimarrin drejtimin e pushtetit lokal. Këto komuna me shumicë serbe kanë qenë të udhëhequra nga kryetarë shqiptarë që nga maji i vitit 2023, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor 2022 gjatë largimit kolektiv të serbëve nga institucionet në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, Lista Serbe pranoi se vendimi për t’u tërhequr nga institucionet kishte qenë një gabim dhe se synonte të tërhiqte vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare mbi vështirësitë e komunitetit serb. Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi më 3 dhjetor se kryetarët e rinj – Millan Radojeviq në Mitrovicën e Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok – do të kërkojnë qasje në dokumentacionin e plotë të komunave sapo të marrin detyrën. Lista Serbe ka paralajmëruar gjithashtu anulimin e vendimeve të quajtura prej tyre “jolegjitime” të kryetarëve shqiptarë.

Pas zgjedhjeve lokale të tetorit, Bashkimi Evropian ka shprehur pritjen që pushteti i ri lokal të bashkëpunojë me institucionet qendrore dhe të punojë në mënyrë konstruktive për nevojat e qytetarëve, duke respektuar legjislacionin në fuqi. Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që çdo vendim i komunës që bie në kundërshtim me Kushtetutën ose me ligjet mund të dërgohet për rishqyrtim në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale ose në institucionin përgjegjës të Qeverisë së Kosovës.

Ndryshimet kryesore në veri nga viti 2023 filluan menjëherë pasi kryetarët shqiptarë morën drejtimin e komunave. Në objektet komunale u vendos flamuri i Kosovës, i cili më parë nuk ishte i pranishëm në asnjë institucion verior. Të katër komunat iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës, veprim që Lista Serbe e cilësoi si “okupim”. Në bashkëpunim me institucionet qendrore u nis mbyllja e strukturave lokale të Serbisë, përfshirë organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale dhe ndërmarrjet publike që funksiononin nga Beogradi. Autoritetet lokale morën në pronësi hapësirat ku këto institucione ushtronin veprimtarinë, ndaluan ndërtimet e financuara nga Serbia pa leje dhe paralajmëruan shembjen e objekteve të ngritura në mënyrë të paligjshme. Paralelisht, u hapën poste, banka dhe shërbime të Kosovës, si edhe filluan të funksionojnë biznese të reja në pronësi të qytetarëve shqiptarë, veprime që u kundërshtuan nga serbët lokalë përmes bojkotit dhe rezistencës.

Në mes të vitit 2023, Komuna e Mitrovicës së Veriut nënshkroi një memorandum me Komunën e Mitrovicës së Jugut për ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, zhvillimet politike u shoqëruan me tensione të shumta. Komuniteti serb nuk i pranoi kryetarët shqiptarë, çka çoi në kriza të njëpasnjëshme. Në fund të majit të vitit 2023 ndodhi përplasja mes protestuesve serbë dhe trupave të KFOR-it në Zveçan, ku u lënduan më shumë se 100 persona. Më vonë, tensionet kulmuan me sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe më pas humbën jetën tre sulmues serbë. Përgjegjësinë e mori Millan Radoiçiç, ndërsa Prishtina akuzoi Beogradin për përfshirje, gjë që Serbia e mohoi.

Pas këtyre ngjarjeve, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeti i bllokuar. Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të situatës së përshkallëzuar në veri, ndërsa disa prej këtyre masave kanë filluar të hiqen gradualisht që nga muaji maj i këtij viti. Seancat e 5 dhjetorit pritet të shënojnë një pikë të rëndësishme në zhvillimet politike në këtë pjesë të vendit.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-