Kryeministri Rama: ''Zjarrvënia e qëllimshme, krim dhe tradhti – Duhen dënimet më të rënda''

Kryeministri Rama: ''Zjarrvënia e qëllimshme, krim dhe tradhti – Duhen dënimet më të rënda''

Në të gjithë vendin vijojnë të jenë aktive 14 vatra zjarri, një pjesë e madhe e të cilave dyshohet se janë ndezur me qëllim. Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot duke publikuar pamje të fiksuara nga dronët “Bajraktar”, ku sipas tij, evidentohet një rast i qartë i zjarrvënies së qëllimshme.

“Të ndezësh një zjarr me qëllim nuk është vetëm krim, por tradhti ndaj tokës sonë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë,” – tha Rama, duke paralajmëruar se zjarrvënia duhet të barazohet me vrasjen në Kodin Penal, në kushtet e krizës së ngrohjes globale dhe rritjes së rrezikut nga flakët në gjithë vendet e Mesdheut.

Kryeministri falënderoi të gjithë efektivët e zjarrfikësve dhe Forcave të Armatosura që po rrezikojnë jetën për të shuar flakët, duke theksuar se Policia e Shtetit është në terren për të çuar para drejtësisë çdo person që “luan me pasurinë e përbashkët”.

Prej pesë javësh, nga veriu në jug, qindra zjarrfikës dhe ushtarakë po përballen me vatrat e zjarrit, ndërsa në operacionet ajrore janë angazhuar helikopterët e ushtrisë shqiptare dhe avionë “Canadair” nga Kroacia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-