Kriza në transportin urban të Vlorës – pritje të gjata, mungesë informacioni dhe kushte të papërshtatshme në kulmin e sezonit turistik

Kriza në transportin urban të Vlorës – pritje të gjata, mungesë informacioni dhe kushte të papërshtatshme në kulmin e sezonit turistik

Transporti urban në qytetin e Vlorës po kthehet në një shqetësim serioz për qytetarët dhe turistët, pikërisht në periudhën me fluksin më të lartë të pasagjerëve.

🚌 Autobusët vijnë rrallë dhe lëvizin shumë ngadalë, duke krijuar pritje të gjata dhe pasiguri për lëvizjen. Në stacionet urbane mungojnë krejtësisht tabelat informuese – nuk ka orare, skema linjash apo destinacione.

“Autobuzi nuk është dhe aq mirë. Pres shumë gjatë në stacion dhe ky është problem,” – shprehet një i ri për BluTV.
“Mua zakonisht më pëlqen të eci, por kur është shumë vapë ose kur jam me nxitim, marr autobusin. Por më duhet të pres gjatë. Shoqja ime jeton në Ujë të Ftohtë dhe autobusi atje kalon vetëm dy herë në ditë. Është shumë e vështirë sepse nuk dimë orarin kur kalon dhe është shumë e vështirë për ta kapur,” – shton një vajzë tjetër e intervistuar.

🚍 Problematikat nuk ndalen vetëm me vonesat. Kushtet e brendshme të mjeteve janë të papërshtatshme: mungon ajrimi dhe kondicioneri, dritaret nuk hapen dhe temperaturat brenda autobusëve janë të papërballueshme, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët.

🗣️ Myzafer Elezi, nënkryetar i Këshillit Bashkiak, thekson se pavarësisht rëndësisë që ka Vlora si destinacion turistik, autoritetet vendore nuk kanë paraqitur ende një plan konkret për përmirësimin e këtij shërbimi jetik.

“Në mes të sezonit turistik, qyteti duket se po dështon të ofrojë edhe minimumin e shërbimit të transportit publik: mjete të pakta, cilësi e dobët dhe infrastrukturë informuese thuajse inekzistente,” – thekson Elezi.

📉 Në një qytet që çdo ditë mirëpret mijëra vizitorë, mungesa e një sistemi funksional transporti rrezikon të dëmtojë jo vetëm përditshmërinë e qytetarëve, por edhe imazhin turistik të Vlorës.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-