Kriza në blegtori – Fermerët në Suk 1 të Roskovecit drejt falimentimit për shkak të çmimit të ulët të qumështit

Kriza në blegtori – Fermerët në Suk 1 të Roskovecit drejt falimentimit për shkak të çmimit të ulët të qumështit

ROSKOVEC – Blegtorët në fshatin Suk 1, në bashkinë Roskovec, po përballen me një krizë të thellë ekonomike për shkak të çmimit të ulët me të cilin u blihet qumështi nga fabrikat përpunuese.

Aktualisht, çmimi për litër është vetëm 76 lekë, një nivel që nuk mbulon as kostot minimale të prodhimit, sipas vetë fermerëve.

“Të paktën të na e blinin mbi 80 lekë për litër,” – shprehen ata, duke theksuar se ndërkohë fabrikat e përpunimit e shesin qumështin deri në 120 lekë për litër, duke përfituar në kurriz të prodhuesve.

Situata pritet të përkeqësohet edhe më shumë, pasi fermerët thonë se kanë marrë njoftime për ulje të mëtejshme të çmimit deri në 73 lekë për litër, çka do të ishte fatale për mbijetesën e blegtorisë në zonë.

Subvencionet, tjetër pikë e nxehtë
Përveç çmimit të ulët, fermerët ngrejnë shqetësime edhe për problemet me skemat e subvencionimit. Njëri prej tyre denoncon se komisioni i AZHBR-së i ka hequr 10 krerë lopë nga skema, duke e lënë jashtë përfitimeve të premtuara nga shteti.

“Në vend që të na ndihmojnë, na penalizojnë padrejtësisht,” – thotë ai.

Rënie drastike e numrit të krerëve dhe mbyllje e stallave
Dikur një zonë aktive me rreth 20 stalla dhe mbi 700 krerë bagëti, sot në Suk 1 kanë mbetur vetëm 5 stalla dhe rreth 150 krerë lopë. Fermerët thonë se nëse situata nuk ndryshon, do të detyrohen të braktisin përfundimisht blegtorinë, pasi aktiviteti nuk është më ekonomikisht i qëndrueshëm.

Kriza në Suk 1 pasqyron një fenomen më të gjerë në zonat rurale, ku mungesa e mbështetjes së qëndrueshme financiare dhe çmimet e padrejta të tregut po detyrojnë shumë familje të heqin dorë nga një traditë e hershme jetese.

Lajmi nga: Armand Xhelili
Armand Xhelili

Armand Xhelili

Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.

Komente

-