Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, një strukturë e re në varësi të Kryeministrit, që synon mirëqeverisjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve ujore në vend.
E financuar nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, Agjencia ka për mision sigurimin e nevojave jetësore për ujë, nxitjen e konkurrencës në përdorim dhe ruajtjen e ekosistemeve, duke orientuar qeverisjen drejt përfitueshmërisë ekonomike dhe mbrojtjes mjedisore.
Struktura do të funksionojë në nivel qendror dhe përmes degëve në basenet lumore të miratuara, duke garantuar një menaxhim të integruar në të gjithë territorin.
Agjencia do të analizojë situatën e burimeve ujore, do të identifikojë nevojat, do të kryejë vlerësime të fizibilitetit dhe do të hartojë politika e strategji për zhvillimin e sektorit të ujit, në bashkëpunim me aktorët institucionalë dhe lokalë.
Një tjetër funksion i rëndësishëm është koordinimi për mbrojtjen e mjedisit detar dhe hartimi i planeve të menaxhimit të riskut nga përmbytjet, me qëllim përmirësimin e reagimit institucional, shkëmbimin e informacionit dhe sigurimin e sinergjisë ndërinstitucionale.
Po ashtu, Agjencia do të monitorojë ndotjen nga nitratet me origjinë bujqësore dhe do të përcaktojë kriteret për vlerësimin ekologjik të trupave ujorë, duke siguruar që metodologjitë e përdorura të jenë në përputhje me vendet fqinje për qëllime krahasimi dhe bashkëpunimi.
Krijimi i kësaj agjencie shënon një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të menaxhimit të burimeve ujore dhe mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri.
Komente