Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka vendosur në mënyrë unanime rinumërimin e plotë të votave të kandidatëve për deputetë në të gjitha komunat e vendit, pas evidentimit të parregullsive dhe tjetërsimeve të konsiderueshme të rezultateve.
Vendimi u mor pas analizimit të një raporti mbi procesin e numërimit, i cili tregoi mospërputhje të mëdha mes rezultateve të paraqitura në Qendrat Komunale të Numërimit dhe atyre të verifikuara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Procesi i rinumërimit kishte nisur fillimisht në 10 komuna, ndërsa tashmë do të shtrihet në të 38 komunat e Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare, pas rinumërimit janë zbritur 36,007 vota për kandidatë që më parë ishin regjistruar gabimisht, ndërsa janë shtuar 20,978 vota të tjera që nuk ishin evidentuar saktë gjatë numërimit fillestar.
Kryetari i KQZ-së bëri të ditur se komuna e Prizrenit paraqet rastin me shkeljet më të rënda, ku pas rinumërimit janë zbritur 29,343 vota nga rezultati fillestar dhe janë shtuar 16,366 vota të tjera për kandidatët.
Në komunat e tjera janë konstatuar ndryshime më të vogla, ndonëse në disa vendvotime janë evidentuar mospërputhje të dukshme për kandidatë të caktuar. Në vijim të këtyre gjetjeve, KQZ ka shkarkuar të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren dhe ka njoftuar se çështja do t’i referohet prokurorisë.
Komente