Një tjetër përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar. Seanca e së mërkurës zgjati vetëm rreth dy minuta, duke shënuar dështimin e 39-të radhazi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare.
As këtë herë, deputetët nuk arritën të votojnë për themelimin e komisionit për votim të fshehtë – një hap i domosdoshëm për vijimin e procesit dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit. Sipas rezultateve zyrtare të votimit, vetëm 54 deputetë votuan pro themelimit të komisionit, numër që nuk mjafton për të çuar përpara procedurën.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, ende nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit. Opozita ka refuzuar në mënyrë të përsëritur propozimin për komisionin e fshehtë.
Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit është caktuar për ditën e martë, në orën 11:00. Sakaq, ngërçi institucional në Kosovë vijon të thellohet.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente