Kosova rrezikon të mbyllë vitin 2025 pa krijuar një Qeveri të re, edhe pse zgjedhjet parlamentare u mbajtën në shkurt. Mandatari aktual për formimin e ekzekutivit, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, ka afat deri më 19 nëntor për t’i paraqitur Kuvendit përbërjen e kabinetit dhe për të provuar nëse mund të sigurojë votat e nevojshme.
Konjufca është mandatar i dytë i Vetëvendosjes, pas Albin Kurtit, i cili nuk arriti të marrë mbështetjen parlamentare për krijimin e Qeverisë. Edhe pse doli forcë e parë në zgjedhje, VV nuk siguroi mjaftueshëm mandate për të qeverisur e vetme. Që në ditën e mandatimit, Konjufca u bëri thirrje partive që të mbështesin një qeveri të përkohshme deri në prill të vitit të ardhshëm, kur përfundon mandati i presidentes Vjosa Osmani. Partitë kryesore të opozitës e refuzuan këtë propozim, duke deklaruar se nuk japin vota për një qeveri tranzitore.
Ekspertët e zhvillimeve politike theksojnë se kabineti që pritet të paraqitet nga Konjufca mund të jetë i njëjtë me atë të paraqitur më herët nga Kurti, dhe për rrjedhojë, rezultati në Kuvend mbetet i parashikueshëm. Si zgjidhje alternative përmendet mundësia e një qeverie teknike me mandat të kufizuar, që do të kishte për detyrë të miratonte buxhetin e shtetit dhe të komunave për vitin 2026, marrëveshjet ndërkombëtare të lidhura me Planin e Rritjes së Bashkimit Europian dhe buxhetin e Radiotelevizionit të Kosovës.
Ndërkohë, Kurti ka përsëritur se mbajtja e zgjedhjeve në dhjetor apo në prill do të ishte e dëmshme për vendin. Sipas tij, deputetët janë përballë dy opsioneve: një qeveri të përkohshme të drejtuar prej tij deri në dhjetor, ose një qeveri të përkohshme të drejtuar nga Konjufca deri në prill.
Procesi i formimit të Qeverisë është zvarritur më shumë se zakonisht. Në Kosovë, seancat pas mandatimit zakonisht thirren shpejt, por këtë herë procesi ka mbetur i bllokuar. Përveç mungesës së votave, qarkullojnë edhe dyshime se partitë po llogarisin mundësinë që zgjedhjet eventuale të mbahen në fund të dhjetorit, kur diaspora ndodhet në vend. Një datë e tillë mund ta vështirësojë monitorimin ndërkombëtar, për shkak të periudhës së festave.
Presidentja Osmani ka deklaruar se, nëse partitë nuk pranojnë nismat ligjore të nisura nga Qeveria në detyrë, ajo mund t’i çojë vetë në Kuvend ligjet e domosdoshme, por vetëm pasi partitë të garantojnë paraprakisht votat. Ajo ka kujtuar se, sipas Kushtetutës, nëse dështojnë përpjekjet e mandatit të dytë, ajo është e detyruar të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve.
Nëse deri më 31 mars 2026 Kosova nuk ka institucione funksionale dhe buxhet të miratuar, pasojat mund të jenë të rënda: rrezikohen pagat e sektorit publik, vonohen pagesat për bizneset që punojnë me shtetin dhe mund të humbasin fondet e huaja. Megjithatë, partitë vazhdojnë të mos bien dakord dhe zgjedhjet e parakohshme shihen si mundësia më reale.
Ndërkohë, analistët theksojnë se rezultatet zgjedhore nuk pritet të ndryshojnë ndjeshëm, dhe se vetëm kompromisi politik mund ta nxjerrë vendin nga ngërçi.
Komente