Në qarkun e Korçës janë instaluar tre stacione moderne meteorologjike që synojnë të revolucionarizojnë mënyrën e punës së fermerëve dhe të rrisin qëndrueshmërinë e sektorit bujqësor përballë ndryshimeve klimatike.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se këto stacione janë të pajisura me sensorë të teknologjisë së lartë dhe kurthe digjitale, të cilat do t’i ndihmojnë fermerët të monitorojnë më saktë kushtet klimatike, të parandalojnë dëmtuesit dhe sëmundjet, si dhe të menaxhojnë më mirë përdorimin e burimeve natyrore.
“Janë instaluar tre stacione meteorologjike moderne për të mbështetur fermerët në kultivimin e mollëve dhe qershive – një hap konkret drejt fuqizimit të bujqësisë së zgjuar,” tha ministrja Denaj në një deklaratë publike.
Ky investim, sipas saj, është pjesë e vizionit “Bujqësia2030” dhe është realizuar nga GIZ Albania dhe WB Adapt, në bashkëpunim me Qendrën për Transferimin e Teknologjive Bujqësore (QTTB) Korçë, AREB Korçë dhe ADAD Malore.
Përfituesit kryesorë të këtij projekti janë fermerët lokalë, të cilët tashmë do të kenë në dispozicion të dhëna të sakta dhe në kohë reale për të planifikuar më mirë prodhimin bujqësor dhe për të përballuar sfidat që sjell ndryshimi i klimës.
Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm drejt një bujqësie më të qëndrueshme, efikase dhe të orientuar drejt teknologjisë.
Komente