Papa Leoni XIV i është bashkuar zërave që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog mes Iranit dhe Izraelit, pas përshkallëzimit të tensioneve mes dy vendeve. Në një deklaratë të bërë publike të shtunën, Papa shprehu shqetësimin për përkeqësimin e situatës në një moment të ndjeshëm për stabilitetin global.
“Situata në Iran dhe Izrael është përkeqësuar seriozisht në një moment kaq delikat. Dëshiroj të përsëris me forcë një apel për përgjegjësi dhe arsye,” u shpreh Papa Leoni XIV, sipas medias ndërkombëtare Daily Sabah.
Ai theksoi rëndësinë e angazhimit global për ndërtimin e një bote të lirë nga kërcënimi bërthamor, duke theksuar se kjo arrihet përmes respektit të ndërsjellë dhe një dialogu të sinqertë: “Askush nuk duhet të kërcënojë kurrë ekzistencën e tjetrit.”
Papa bëri thirrje që të gjitha shtetet të përkrahin kauzën e paqes: “Është detyrë e të gjitha vendeve të mbështesin kauzën e paqes, duke nisur rrugë pajtimi dhe duke promovuar zgjidhje që garantojnë siguri dhe dinjitet për të gjithë.”
Deklarata e Papës vjen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar i frikësohet përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente