Koçiu me drejtuesit e spitaleve -  Përforcim i ekipeve të urgjencës gjatë sezonit turistik

Koçiu me drejtuesit e spitaleve - Përforcim i ekipeve të urgjencës gjatë sezonit turistik

Në kuadër të masave të marra për garantimin e kujdesit shëndetësor gjatë sezonit turistik, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, zhvilloi një takim me drejtuesit e spitaleve rajonale në të gjithë vendin. Ky takim synon të sigurojë një plan të koordinuar për menaxhimin e fluksit të shtuar të pacientëve dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore të cilësisë së lartë për turistët dhe qytetarët.

Ministrja Koçiu kërkoi angazhim të plotë nga strukturat spitalore për përballimin e kërkesës së shtuar për shërbime shëndetësore. Ajo theksoi se të gjitha strukturat që shërbejnë për pushuesit vendas dhe të huaj do të duhet të jenë të gatshme për menaxhimin e fluksit të madh të pacientëve, veçanërisht në shërbimet e urgjencës. “Do të duhet të jemi të gatshëm si muajt e kaluar, por me një fokus të shtuar tek shërbimet e urgjencës,” theksoi ajo.

Një nga pikat kryesore të diskutimit ishin Qendrat Shëndetësore Verore, të cilat janë të vendosura përgjatë vijës bregdetare dhe zonave turistike. Koçiu bëri të ditur se këto qendra janë të gatshme të ofrojnë ndërhyrje të shpejtë dhe shërbim cilësor për pushuesit, duke mbështetur më tej ofrimin e kujdesit shëndetësor në periudhën e verës.

“Shëndetësia është në gatishmëri të plotë për të garantuar një sezon të sigurt për të gjithë,” tha ministrja Koçiu, duke u siguruar se çdo strukturë spitalore dhe qendër shëndetësore do të jetë në dispozicion 24/7 për të ofruar shërbime të shpejta dhe të cilësisë së lartë.

Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë një sërë masash për të garantuar ofrimin e pandërprerë të shërbimeve shëndetësore, përfshirë përforcimin e stafit dhe materialeve të nevojshme për spitalet dhe qendrat shëndetësore verore, për të siguruar një trajtim sa më të shpejtë dhe të sigurt për qytetarët dhe turistët.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-