Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar shkelje serioze dhe abuzime financiare në shërbimin e hemodializës, i cili ofrohet nga kompania koncesionare “Dia Vita” në qendrat e Shkodrës, Vlorës, Lezhës, Elbasanit dhe Korçës. Sipas auditit, kompania në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu ka përfituar pagesa nga shteti edhe në raste kur shërbimi nuk është ofruar realisht.
Në raportin e KLSH-së është dokumentuar rasti i një pacienti që, pasi kishte ndryshuar vendbanimin, kryente seancat e dializës në një spital jo publik të kontraktuar nga Fondi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor. Megjithatë, Fondi ka vijuar të paguajë edhe qendrën koncesionare në Lezhë, ku pacienti i kishte kryer më herët seancat. Auditi vëren se raportimet për numrin e seancave janë bazuar në projeksione dhe jo në shërbimet reale të kryera, duke sjellë përfitime të padrejta për koncesionarin.
KLSH ka konstatuar gjithashtu se qendrat e hemodializës të koncesionarit operonin pa mjek nefrolog me kohë të plotë, shërbim i domosdoshëm për pacientët me insuficiencë renale, si dhe pa dietologë të specializuar për regjimin ushqimor që duhet të ndjekin pacientët në dializë.
Një tjetër gjetje e auditit është se qendrat koncesionare nuk trajtojnë pacientët me probleme akute renale që kërkojnë seanca të menjëhershme dialize, duke i detyruar ata të referohen fillimisht në shërbimin e nefrologjisë në QSUT, edhe në rastet me urgjencë.
Koncesioni i hemodializës, me vlerë fillestare 86 milionë dollarë dhe afat 10-vjeçar, parashikon që në katër vitet e fundit kompania të investojë në pajisje të reja që do t’i kalojnë spitaleve publike pas përfundimit të kontratës. Sipas KLSH-së, ky investim nuk ka nisur, ndërsa kontrata përfundon në mars 2026.
Raporti thekson se qendrat e koncesionarit nuk janë monitoruar as për kostot dhe as për cilësinë e shërbimit, ndërsa me përfundimin e afatit të koncesionit në prag, mungon ende një analizë e kostos dhe e eficiencës së tij.
Komente