Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, raportoi në Komisionin e Ekonomisë dhe atë për Nismat Qytetare se detyrimet gjyqësore të shtetit shqiptar kanë arritur në 7.32 miliardë lekë deri në fund të vitit 2024. Ai paralajmëroi se Shqipëria rrezikon të përballet me pagesa shtesë deri në 18 milionë euro, për shkak të dhjetë çështjeve të hapura në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Shehu theksoi se një pjesë e këtyre çështjeve lidhen me vonesat në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore dhe mungesën e zbatimit të plotë të detyrimeve financiare ndaj qytetarëve dhe bizneseve, çka e ekspozon buxhetin e shtetit ndaj penaliteteve ndërkombëtare.
Në vijim të raportimit, kreu i KLSH-së nënvizoi se në kontratat koncesionare dhe partneritetet publike–private (PPP) janë konstatuar mospërputhje të dukshme në plan–pagesa, financime të fragmentuara dhe mungesë të mekanizmave të qartë monitorimi e raportimi mbi performancën e projekteve. Sipas tij, këto mangësi rrisin rreziqet fiskale dhe kufizojnë aftësinë e shtetit për të garantuar menaxhim të qëndrueshëm financiar.
Shehu bëri të ditur gjithashtu se pasqyrat e konsoliduara financiare të shtetit për vitin 2024 nuk janë hartuar, duke e bërë të pamundur dhënien e një opinioni auditues të plotë mbi gjendjen financiare të sektorit publik. Ai theksoi se kjo përbën një problem serioz për transparencën fiskale dhe për besueshmërinë e të dhënave buxhetore.
Sipas gjetjeve të auditimeve të kryera nga KLSH, janë identifikuar mangësi në përgatitjen dhe klasifikimin e pasqyrave financiare, si dhe vonesa në proceset e raportimit të shpenzimeve publike. Risqet fiskale vijojnë të mbeten të larta, veçanërisht në ndërmarrjet shtetërore të sektorit të energjisë, të cilat përballen me borxhe të akumuluara dhe detyrime të papaguara ndërinstitucionale.
Në përmbyllje të raportimit, Arben Shehu kërkoi rritje të transparencës, kontrollit dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e fondeve publike, duke theksuar se vetëm përmes disiplinës financiare dhe mbikëqyrjes efektive mund të parandalohet thellimi i risqeve buxhetore.
Komente