Në fshatin Stegopull të Gjirokastrës ndodhet një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore – Kisha e Profetit Ilia. Kjo kishë, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë I që prej qershorit të vitit 1973, është një dëshmi e gjallë e besimit, artit dhe mjeshtërisë së shekujve të kaluar.
E ndërtuar në vitin 1624, kisha ruan ende pikturat murale origjinale, të realizuara nga ikonografët Kostandin, djali i Mihalit nga Linotopi, dhe nxënësi i tij Nikolla. Një mbishkrim në portën e brendshme të objektit dëshmon për autorësinë e veprës, e cila konsiderohet një nga më të ruajturat në këtë zonë.
Manastiri i Stegopullit vazhdon të mirëmbahen me përkushtim nga banorët vendas dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, duke u vlerësuar si një simbol krenarie për të gjithë trevën.
Kisha përbëhet nga dy pjesë kryesore: naosi dhe narteksi. Naosi ka formë kryqi me kupolë triapsidale, me përmasa 6.60 x 3.60 metra. Kupola ngrihet mbi një tambur të lartë, ndërsa krahët e kryqit janë të zhvilluar në mënyrë asimetrike për shkak të proporcioneve të zgjatura të ndërtesës. Në anën perëndimore, naosi lidhet me narteksin, i cili mbulohet me një qemer cilindrik dhe në hyrjen e tij ruhen dy data: 1777 (ndërtimi i narteksit) dhe 1889 (rindërtim i mundshëm).
Së fundmi, DRTK Gjirokastër ka ndërmarrë masa për sistemimin e mureve rrethuese të kishës që ishin dëmtuar, si dhe ka pastruar bimësinë që rrezikonte ambientin përreth. Këto ndërhyrje synojnë ruajtjen dhe promovimin e një prej objekteve më të çmuara të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe historike.
Kisha e Profetit Ilia mbetet jo vetëm një vend adhurimi, por edhe një dëshmi e fortë e identitetit kulturor të jugut të Shqipërisë.
Gentjan Kellçiu është gazetar dhe moderator nga Vlora, i njohur për raportimet e tij në terren dhe drejtimin e emisioneve informative. Aktualisht ai drejton emisionin e mëngjesit “Agon Blu” në Blu TV.
Komente