Publicisti dhe shkrimtari i njohur nga Maqedonia e Veriut, Kim Mehmeti, ka theksuar se sfida kryesore e shqiptarëve sot nuk është gjuha, por mënyra se si mendojnë. Sipas tij, shqiptarët në të gjitha trojet flasin shqip, por shpesh nuk mendojnë njësoj dhe nuk e përjetojnë realitetin me të njëjtën këndvështrim.
Ai u shpreh se ky hendek mendësie është trashëgim i periudhës së komunizmit shqiptar dhe ish-Jugosllavisë, të cilat kanë formuar qasje të ndryshme shoqërore e politike. Mehmeti thotë se shqiptarët duhet të synojnë një mendim të përbashkët strategjik, duke nënvizuar se “duhet të kemi një mendësi, jo vetëm të flasim shqip, por edhe të mendojmë shqip”.
Në këtë kuadër, ai solli edhe një mesazh për sigurinë kombëtare, duke theksuar se në një botë ku çdo vend po armatoset, edhe shqiptarët duhet të mendojnë për paqen përmes forcimit të kapaciteteve mbrojtëse.
Deklaratat e tij u bënë gjatë një takimi në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër, ku u dhuruan tre mijë libra, një nismë që Mehmeti e konsideroi si kontribut për forcimin e kulturës dhe vetëdijes kombëtare.
Komente