Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka marrë pjesë në një ceremoni zyrtare mirëseardhjeje për një njësi të Inxhinierisë së Ushtrisë, e cila u kthye në vend pas përfundimit të misionit të saj në Rusi, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Gjatë fjalës së tij, Kim përgëzoi oficerët dhe ushtarët e Regjimentit të 528-të të Inxhinierisë së Ushtrisë, duke vlerësuar “heroizmin” e treguar gjatë misionit të caktuar nga udhëheqja e Koresë së Veriut, i cili zgjati 120 ditë jashtë territorit të vendit.
Sipas KCNA, njësia ushtarake ishte vendosur në fillim të muajit gusht në rajonin e Kurskut, në kohën kur lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ishte në zhvillim e sipër.
Muajin e kaluar, Ministria Ruse e Mbrojtjes deklaroi se trupat e Koresë së Veriut kishin ndihmuar në zmbrapsjen e një pushtimi ukrainas në Kursk dhe kishin marrë pjesë në pastrimin e zonave nga minat.
Në kuadër të një marrëveshjeje bashkëpunimi mbrojtës mes dy vendeve, Koreja e Veriut dërgoi rreth 14 mijë ushtarë për të luftuar përkrah forcave ruse në rajonin e Kurskut vitin e kaluar. Sipas vlerësimeve të Ukrainës dhe Koresë së Jugut, më shumë se 6 mijë prej tyre humbën jetën.
Kim Jong Un bëri të ditur se nëntë ushtarë u vranë gjatë këtij misioni, duke e cilësuar humbjen e tyre si “zemërthyese”. Ai shtoi se pjesëmarrësit në mision do të dekorohen, ndërsa nëntë ushtarët e rënë janë shpallur tashmë “heronj të Republikës Popullore Demokratike të Koresë”, sipas KCNA.
Komente