Këshilli Bashkiak miraton vendimet: Pallati i Kongreseve i kalon Qeverisë - Debate për kërkesat e Ramës dhe Veliajn

Këshilli Bashkiak miraton vendimet: Pallati i Kongreseve i kalon Qeverisë - Debate për kërkesat e Ramës dhe Veliajn

Tiranë, 24 korrik 2025 – Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi një sërë vendimesh gjatë mbledhjes së tij të kësaj të enjteje ndër to dhe kalimi në përgjegjësi të Qeverisë i Pallatit të Kongreseve, një vendim që erdhi pasi kjo godinë do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë.

Debate dhe kërkesa për transparencë
Miratimi i vendimeve u shoqërua me debate të ashpra. Këshilltari i opozitës, Ilir Alimehmeti kërkoi sqarime mbi mundësinë që brenda territorit të Pallatit të Kongreseve të ndërtohej ndonjë kullë e re. Anuela Ristani, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë theksoi se nuk kishte informacion për këtë, duke kërkuar qetësi lidhur me spekulimet.

Dorian Teliti një tjetër këshilltar i opozitës u shpreh se opozita kishte të drejtë të dyshonte duke bërë një paralelizëm me fushën përreth stadiumit "Selman Stërmasi" për të cilën sipas tij ishte dhënë një informacion i paqartë më parë.

Kërkesat për Veliajn dhe autoritetin e qeverisë
Një tjetër moment i tensionuar ishte kërkesa e opozitës për të shtuar në rend të ditës çështjen e Erion Veliajt për të cilin ata kërkuan që Këshilli t'i kërkonte Qeverisë të ndërmerrte veprime për shkarkimin e tij. Këshilltarët opozitarë theksuan se Veliaj tashmë ishte i pandehur dhe jo më i hetuar duke i kërkuar që të merrej një qëndrim institucional në lidhje me këtë çështje.

Opozita gjithashtu kërkoi që Këshilli Bashkiak të shprehte një qëndrim për kërkesën e kryeministrit Edi Rama i cili kërkoi largimin e të gjithë drejtorëve dhe nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës. Këshilltarja e opozitës Ilda Zhulali e cilësoi këtë kërkesë si një shkelje të ligjit për autonominë vendore duke theksuar se Rama kishte "pushtuar" Bashkinë e Tiranës duke shkelur një nga parimet bazë të pushtetit lokal.

Përfundimet e mbledhjes
Pavarësisht tensioneve dhe debatëve vendimet e propozuara u miratuan përfshirë kalimin e përgjegjësisë për Pallatin e Kongreseve te Qeveria për rikonstruksionin e tij. Po ashtu kërkesa e opozitës për trajtimin e çështjes së kryebashkiakut Veliaj mbetet një nga temat e diskutimit për të ardhmen.

Këshilli Bashkiak i Tiranës pritet të vazhdojë të jetë në qendër të debateve politike në ditët në vijim sidomos lidhur me pozitat dhe kërkesat e ndryshme të palëve politike.

Lajmi nga: Pamela Shabani
Pamela Shabani

Pamela Shabani

Pamela Shabani është pjesë e redaksisë së Blu TV si gazetare e terrenit, duke sjellë në ekran realitetin përmes një vështrimi të ndjeshëm dhe analitik. E diplomuar në Psikologji, ajo kombinon aftësinë për të kuptuar dinamikat sociale me përkushtimin për të raportuar me objektivitet dhe përgjegjësi. Me interes të veçantë për çështjet sociale dhe historitë njerëzore, Pamela synon të japë zë atyre që shpesh mbeten në heshtje.

Komente

-