Kaos në avion për një selfie me Tian Xu Ning – Fansat përplasen me stafin gjatë fluturimit

Kaos në avion për një selfie me Tian Xu Ning – Fansat përplasen me stafin gjatë fluturimit

Një episod i pazakontë ka ndodhur gjatë fluturimit të Xiamen Airlines në linjën Changsha–Fuzhou në Kinë kur fansat e aktorit të njohur kinez Tian Xu Ning krijuan kaos në bord duke u përpjekur të depërtonin në klasën e biznesit për një foto me të. Videoja e cila është bërë virale në internet u shoqërua me komente të shumta jo vetëm nga fansat e aktorit por edhe nderkombëtarisht.

Pamjet e publikuara tregojnë stjuardesat që tentojnë të mbyllin me forcë perdet ndarëse, ndërsa një grup pasagjerësh përpiqen të kalojnë në pjesën e përparme të avionit ku ndodhej aktori. Personeli i kabinës dëgjohet duke u kërkuar pasagjerëve të ulen pasi avioni po përgatitej për ulje.

“Mos shtyni përpara, avioni nuk ka ndalur ende!” dëgjohet të thotë njëra prej stjuardesave.

Tian Xu Ning, 27 vjeç nuk ka reaguar gjatë incidentit. Ai është bërë shumë i njohur së fundmi për rolin kryesor në serialin “Revenged Love” dhe është kthyer në një prej figurave më të ndjekura të ekranit në Kinë.

Në fakt dramat aziatike janë bërë kaq popullore vitet e fundit sepse ndërthurin histori të thella emocionale, romanca të ndjeshme, estetikë vizuale mbresëlënëse dhe një pasqyrim autentik të kulturave lindore që i japin publikut një përvojë unike dhe tërheqëse. Në Shqipëri gjithashtu është vënë re një rritje e adhurimit të serive koreane, japoneze dhe kineze sidomos tek të rinjtë. Aktorët aziatikë shpesh kanë imazh të pastër publik, stil të rafinuar dhe janë shumë të kujdesshëm me fansat. Kjo e bën publikun t’i adhurojë jo vetëm si aktorë, por edhe si figura ideale. Ndaj fansat shpesh tejkalojnë kufijtë e një admirimi normal.

Nuk është hera e parë që ai përballet me situata të tilla – më herët, në një tjetër fluturim, është ngacmuar nga fansa të cilët i bënë pyetje personale rreth jetës private, duke përmendur një të dashur dhe një fëmijë të supozuar. Menaxhmenti i aktorit ka mohuar gjithçka:

“Tian Xu Ning është beqar dhe nuk ka fëmijë. I bëjmë thirrje fansave të tregojnë maturi dhe respekt.”

Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale kineze, me përdorues që kërkojnë masa më të forta ndaj fansave që kalojnë kufijtë.

Sipas autoriteteve kineze, bllokimi i korridoreve të avionit dhe pengimi i ekuipazhit klasifikohet si prishje e rendit publik. Pasagjerët e përfshirë në incidente të tilla mund të përballen me:

- paralajmërim apo gjobë deri në 200 juanë,

- arrest 5 deri në 10 ditë,

dhe në raste më të rënda, akuza penale nëse rrezikohet siguria e fluturimit.

Linjat ajrore gjithashtu kanë të drejtë të përjashtojnë nga fluturimet e ardhshme pasagjerët që shfaqin sjellje të papërshtatshme.

Ndërkohë, publiku dhe industria po kërkojnë që figurat publike të mbrohen më mirë në ambiente publike, për të shmangur situata të ngjashme që mund të përfundojnë në incidente të rrezikshme.

Në fund të ditës, popullariteti i jashtëzakonshëm i dramave aziatike dhe pasioni shpesh i tepruar i fansave tregojnë fuqinë që ka arti për të prekur zemrat dhe për të krijuar lidhje të forta emocionale përtej kufijve kulturorë. Megjithatë, ky entuziazëm duhet të ruajë masën dhe respektin, sidomos ndaj privatësisë së artistëve. Sepse nëse dashuria për një yll kthehet në presion apo ndërhyrje, humbet vetë kuptimi i asaj që ky art përfaqëson: ndjeshmëri, frymëzim dhe admirim i sinqertë.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-