Kandahar apo Rinas? Udhëtarët përballen me kushte të papranueshme në aeroportin kryesor të vendit

Kandahar apo Rinas? Udhëtarët përballen me kushte të papranueshme në aeroportin kryesor të vendit

Aeroporti i vetëm ndërkombëtar i Shqipërisë, që pritet të jetë porta kryesore hyrëse për mijëra turistë gjatë sezonit veror, është kthyer në një sfidë për çdo udhëtar vendas apo i huaj. Ndërsa puna për zgjerimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme vijon, qindra qytetarë përballen çdo ditë me radhë të gjata, trafik të rënduar dhe infrastrukturë të përkohshme të papërshtatshme.
Në hyrje të terminalit, automjetet që transportojnë pasagjerë ngecin në radhë kilometrike, ku mungon orientimi, sinjalistika dhe ndarja funksionale e korsive. Udhëtarëve u duhet të zbresin shumë metra larg hyrjes kryesore dhe të përshkojnë distanca të konsiderueshme në këmbë, shpesh në rrugë të pashtruara dhe pa trotuare.
“Është një tmerr i vërtetë, ecja në këmbë, në një korsi të vogël, me fëmijë e çanta në krahë, të moshuar të pamundur... Mua më duhet të udhëtoj thuajse çdo muaj në këtë periudhë dhe më merr frika të vij në aeroport”, rrëfen Elona, 42 vjeç nga Tirana.
Pavarësisht se punimet janë pjesë e një projekti të zgjerimit që synon përmirësimin e shërbimeve dhe kapaciteteve, situata aktuale është kritike. Kalimet "provizore", të improvizuara për të zëvendësuar mungesën e infrastrukturës standarde, janë të pakalueshme për persona me aftësi të kufizuara, prindër me karroca fëmijësh apo udhëtarë me bagazhe të shumta.
Për më tepër, mungesa e informacionit zyrtar apo e njoftimeve paraprake ka shtuar frustrimin e udhëtarëve, të cilët ndihen të braktisur mes kantierit të ndërtimit dhe kaosit të trafikut.
Në prag të sezonit turistik, një aeroport ndërkombëtar nuk duhet të funksionojë si një pikë tranziti kaotike dhe me kushte të papërshtatshme për lëvizje njerëzore. Rinas nuk mund të trajtohet si një nyje periferike ndërtimi, ku siguria dhe komoditeti i pasagjerëve të vihen në pikëpyetje çdo ditë. Shqipëria nuk mund të pretendojë turizëm cilësor, pa ofruar standarde minimale në pikën hyrëse të saj më të rëndësishme.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-