Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të vizituara në jug të Shqipërisë, mbetet një nga simbolet më domethënëse të trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit. E shtrirë në një gjatësi prej 335 metrash mbi kodrën që mbikëqyr qytetin e gurtë, ajo vijon të tërheqë turistë vendas dhe të huaj, duke i dhënë jetë një sezoni turistik që zgjat gjatë gjithë vitit.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale një video informuese për Kalanë e Gjirokastrës, duke theksuar se aty “historia, kënga dhe krenaria bashkohen në një jehonë brezash”.
Gjirokastra, qyteti i trashëgimisë që ndodhet në listën e UNESCO-s, mbart mbi supe një gur të çmuar historik – Kalanë e Argjirosë. E ndërtuar që në vitin 1336, shumë historianë besojnë se themelet e saj janë edhe më të hershme. Në vitin 1812, nën udhëheqjen e Ali Pashë Tepelenës, kalaja njohu një fazë të re shkëlqimi, duke u rikonstruktuar dhe pajisur me fortifikime e armatime moderne për kohën. Pikë referimi mbetet edhe kulla e sahatit, e ndërtuar në këtë periudhë, që vazhdon të tërheqë vizitorët me pamjen dhe historinë e saj.
Gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, kalaja shërbeu si strehë për banorët që mbroheshin nga bombardimet ajrore. Ndërsa prej vitit 1968, ajo u kthye në një qendër të trashëgimisë folklorike, duke mirëpritur Festivalin Folklorik Kombëtar – një ngjarje që vazhdon të mbajë gjallë traditën dhe shpirtin e këngës shqiptare.
Sot, Kalaja e Gjirokastrës nuk është vetëm një relike e së kaluarës, por një dëshmi e gjallë e kulturës, rezistencës dhe krenarisë kombëtare shqiptare.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente