Kalaja e Gjirokastrës mbushur me turistë të mahnitur nga pamjet historike dhe natyrore

Kalaja e Gjirokastrës mbushur me turistë të mahnitur nga pamjet historike dhe natyrore

Kalaja e Gjirokastrës vazhdon tërheqjen e një numri të madh vizitorësh, sidomos gjatë këtij sezoni turistik. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër publikoi pamje të gjalla që tregojnë turistë nga e gjithë bota duke eksploruar muret e gurta dhe duke përjetuar historinë mijëvjeçare të këtij qyteti unik.

Vizitorë vendas dhe të huaj ecin mbi kalldrëmet shekullore, duke zbuluar rrëfimet e kalasë dhe duke shkrepur kujtime në çdo cep të saj. Panorama nga Kalaja e Gjirokastrës ofron një pamje spektakolare të luginës së lumit Drino dhe maleve përreth, një atraksion që i mahnit të gjithë.

Gjirokastra, e njohur si “qyteti i gurtë”, është një nga perlat më të çmuara të jugut të Shqipërisë dhe prej vitesh pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Kalaja, e ngritur në një kodër në lartësi prej rreth 370 metrash mbi nivelin e detit, është simboli kryesor i qytetit.

Në hyrje të saj ndodhet galeria e topave dhe koleksioni i armëve që përfshin periudha nga lashtësia deri në Luftërat Botërore. Një aeroplan i ekspozuar pranë mureve plotëson këtë hapësirë historike, ndërsa pamjet panoramike të luginës dhe maleve përreth të lënë pa frymë.

Kalaja e Gjirokastrës mbetet destinacion i preferuar për mijëra turistë, duke i dhënë jetë dhe energji këtij qyteti me histori të pasur dhe kulturë unike.

Lajmi nga: Gentian Kellçiu
Gentian Kellçiu

Gentian Kellçiu

Gentjan Kellçiu është gazetar dhe moderator nga Vlora, i njohur për raportimet e tij në terren dhe drejtimin e emisioneve informative. Aktualisht ai drejton emisionin e mëngjesit “Agon Blu” në Blu TV.

Komente

-