Një 65-vjeçare me banim në Greqi është proceduar penalisht në Pikën Kufitare të Kakavijës, pasi u kap me një shumë prej 25 000 eurosh të padeklaruara, në tentativë për t’i nxjerrë jashtë territorit të Shqipërisë.
Gjatë një kontrolli rutinë në dalje të Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare zbuluan shumën e konsiderueshme të parave në çantën e shtetases D. K., e cila nuk kishte kryer deklarimin e detyrueshëm për vlerat monetare që tejkalojnë kufirin e lejuar prej 10 000 eurosh.
Sipas njoftimit zyrtar, shuma prej 25 000 eurosh u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër. Për shtetasen D. K. ka nisur procedimi penal për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Policia e Shtetit thekson se kontrollet në pikat kufitare do të vijojnë me intensitet të lartë, për të parandaluar dhe goditur krimet ekonomike dhe financiare.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente