Ndryshimi i kategorisë për një sipërfaqe pyjore në zonën e Gjirit të Lalzit është miratuar në Këshillin Bashkiak të Durrësit, duke i hapur rrugën ndërtimit të një kompleksi të ri në zonë, që do të rrafshojë një pjesë të fondit pyjor me sipërfaqe 8.000 metra katrorë.
Mesditën e së mërkurës u mblodh Këshilli Bashkiak në Durrës për muajin prill, ku me 31 vota pro, këshilltarët votuan për projektvendimin e propozuar nga Bashkia Durrës për ndryshimin e kategorisë së një sipërfaqeje pyjore prej 8.000 metrash katrorë në zonën e Gjirit të Lalzit, e cila tashmë do t’i hapë rrugën ndërtimit të një kompleksi turistik.
Këshilltarët e Partisë së Lirisë i bashkuan votat me ato të këshilltarëve të majtë dhe, me 31 vota pro, projektvendimi mori miratimin. Ndërsa këshilltarët e djathtë ishin vetëm 3 të pranishëm në mbledhje dhe ata votuan kundër. Ndërtimi i resortit turistik “Lura 5”, pjesë e një serie resortesh në zonë me të njëjtin emër, ka marrë më parë aprovimin e Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).
Këshilltarët Ardian Muka dhe Dritan Burgija u shprehën në fjalën e tyre në këshill se nuk ishin kundër zhvillimit, por bregdeti i Durrësit është betonizuar dhe një tjetër resort do të përkthehet në më pak gjelbërim.
Këshilltarët e majtë thanë se kompleksi pritet t’i japë një hov më të madh zhvillimit të turizmit dhe se në të do të punësohen dhjetëra punonjës. Por, megjithë debatet, ky projektvendim tashmë i hapi rrugën një tjetër resorti në një nga zonat më të lakmuara turistike në Gjirin e Lalzit.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente