Dr. Nikolin, një mjek ushtarak me përvojë ndërkombëtare, mori një sfidë të veçantë në vitin 2023, kur u transferua në spitalin e Delvinës.
Gjatë karrierës së tij, ai ka kryer praktika në Gjermani dhe Michigan, ka fituar një Medalje Nderi pas tërmetit në Shqipëri dhe ka shërbyer në vijën e parë të konfliktit në Ukrainë si mjek ushtarak.
Përveç kontributit të tij profesional, Dr. Nikolin ka marrë një rol të rëndësishëm në përpjekjet për përmirësimin e kushteve në spitalin e Delvinës, duke u përpjekur ta sjellë atë në një standard minimalisht të denjë për pacientët e zonës. Ai dhe ekipi i tij kanë ndërmarrë nisma për të kërkuar donacione dhe ndihma për të mbajtur të funksional paktën urgjencën dhe autoambulancën. Me kalimin e kohës, qytetarët vendas dhe të huaj janë solidarizuar dhe kanë dhuruar aq sa kanë mundur, për të mbështetur këtë përpjekje.
Megjithatë, jemi në vitin 2025 dhe spitali i Delvinës mbetet në kushte shumë të vështira.
Spitali ka nevojë urgjente për instalim të linjave elektrike të reja dhe pikash furnizimi (priza energjie), që të mund të funksionojnë pajisjet jetike si respiratorët dhe aparatet e zemrës.
Tualetet janë ende të tipit turk, të pasigurta për pacientë të çdo moshe apo gjendjeje, dhe nuk janë të pajisura me doreza ndihmëse.
Shumë dhoma nuk kanë fare priza elektrike për të lidhur shtretërit spitalorë elektrikë të dhuruar nga Republika Çeke. Po ashtu, respiratorët e kushtueshëm, defibrilatorët CORPULS, respiratorët Smith dhe aparatet EKG Fukuda Denshi janë të papërdorshëm për shkak të mungesës së energjisë së instaluar në mur.
Dritaret nuk kanë rrjeta mbrojtëse ndaj insekteve dhe pluhurit – një rrezik serioz për pacientët në gjendje të rëndë.
Spitali nuk ka sistem ngrohjeje apo ftohjeje, dhe kondicionerët e paktë të pranishëm janë ose të dhuruar, ose të blerë nga vetë stafi.
Megjithë mungesat, Dr. Nikolin dhe ekipi i tij vijojnë me përkushtim punën për të trajtuar pacientët dhe për të shpëtuar jetë, duke punuar pa kushtet minimale.
Ndihma që ka marrë spitali në 6 muajt e fundit:
Nga Rajoni i Pardubicës (Republika Çeke):
1 autoambulancë Volkswagen
Respiratorë Dräger për përdorim spitalor
4 defibrilatorë Corpuls
2 respiratorë transporti Weinmann për Corpuls
2 respiratorë transporti Weinmann për autoambulancën
5 respiratorë Smith
3 respiratorë Weinmann Medumat Standard A
1 Echo Logic (model i vjetër)
2 aparate EKG Fukuda Denshi
Shiringa elektrike
1 barrelë scoop
2 karrige për evakuim pacientësh nëpër shkallë
Mbajtëse për legenin (Pelvis Sling)
Turniket për hemorragji të gjymtyrëve
7 shtretër spitalorë elektrikë
3 palë llamba për sallën e operacionit
3,000 shiringa prej 5 ml
Nga Kisha Protestante e Delvinës (në bashkëpunim me një fondacion holandez):
1 aparat Echo Alpinion Diamond Cube 9 (u dëmtua për shkak të mungesës së UPS-it)
Filma për echo
Ndarese dhome për ekzaminime
Nga një biznes lokal në Delvinë:
1 kondicioner për dhomën e urgjencës
Nga qytetarët:
Instrumente kirurgjikale
Medikamente dhe materiale mjekësore
Pajisje për komunikim me radio
Karrige me rrota
Nga vetë mjeku:
Pajisje KED
Pajisje për kirurgji dhe trajtim plagësh
Pajisje për fryrjen e imobilizuesve të gjymtyrëve
Materiale të tjera të domosdoshme për mjekimin në terren
Nëglizhenca ose vonesa në reagim ndaj kësaj situate është alarmante dhe e papranueshme. Delvina është një qytet i vogël, por jo më pak i rëndësishëm se çdo zonë tjetër turistike apo urbane.
Dr. Nikolin do të largohet për një trajnim të specializuar në Republikën Çeke pas verës, për t’u rikthyer më pas në spitalin e Delvinës. Ai vijon të punojë me ndershmëri e përkushtim si një “bariu” i vërtetë i komunitetit të tij.
Kërkesa është e qartë: Spitalit të Delvinës i nevojitet menjëherë ndërhyrje për instalime elektrike të plota, që pajisjet ekzistuese të vihen në funksion për të shpëtuar jetë.
Shkrimtare e pasionuar pas trashëgimisë kulturore dhe asaj jomateriale, e përkushtuar ndaj ruajtjes së tyre përmes metodave të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. E interesuar për zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ai ka në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Komente