Tirana rikthehet në kohë me ritmet e viteve ‘90! Mbrëmjen e sotme, Sheshi “Skënderbej” do të shndërrohet në një festë të madhe muzikore me performancën live të Jenny-s nga grupi legjendar suedez “Ace of Base”.
Në kuadër të Javës Kulturore Suedeze në Shqipëri, e cila zhvillohet nga 13 deri më 19 qershor, ikona e pop-it sjell për publikun shqiptar hitet që kanë shënuar një epokë – si “The Sign”, “All That She Wants”, “Beautiful Life” dhe të tjera.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një videomesazh të këngëtares, ku ajo fton të gjithë qytetarët që më 17 qershor të mbushin Sheshin “Skënderbej” për një mbrëmje të paharrueshme nën ritmin e muzikës pop të viteve ’90.
“Le të kërcejmë së bashku”, shprehet Jenny në videomesazhin e saj, duke premtuar një koncert me energji dhe kujtime të bukura nga një epokë muzikore që ka lënë gjurmë në mbarë botën.
Koncerti është pjesë e aktiviteteve që përfshijnë muzikë, ekspozita dhe takime kulturore, të cilat sjellin në Shqipëri ngjyrat dhe tingujt e kulturës suedeze.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente