Venecia është kthyer këtë fundjavë në skenën e një prej dasmave më të bujshme të vitit, teksa themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, dhe prezantuesja televizive Lauren Sanchez kurorëzuan dashurinë e tyre mes një liste të gjatë të ftuarish VIP.
Nga rrugicat dhe kanalet e qytetit u panë të kalonin emra të njohur si Oprah Winfrey, Orlando Bloom, Kylie Jenner dhe Ivanka Trump, ndërsa ceremonia u zhvillua në ishullin piktoresk San Giorgio.
Lauren Sanchez, 55 vjeçe, shkëlqeu me një fustan të punuar me dorë nga Dolce & Gabbana, ndërsa Bezos, 61 vjeç, shfaqej i buzëqeshur pranë saj në një foto të shpërndarë në rrjete sociale menjëherë pas martesës.
Festimet që kanë zgjatur prej tre ditësh do të kulmojnë me një super festë ditën e sotme ku janë të ftuar rreth 200 persona. Mbrëmja u zbukurua edhe nga performanca e Matteo Bocellit, djalit të tenoristit të famshëm italian Andrea Bocelli.
Megjithatë, dasma nuk ka kaluar pa reagime. Grupe të ndryshme në Venecia, përfshirë aktivistë kundër mbingarkesës turistike dhe ambientalistë, protestuan kundër ngjarjes luksoze, duke e parë si simbol të pabarazisë dhe ndikimit negativ në mjedis.
Shpenzimet për ceremoninë mbeten të paqarta por mediat ndërkombëtare raportojnë se ato variojnë nga 20 deri në mbi 50 milionë dollarë amerikanë.
Komente