James Webb zbulon: Asteroidi “vrasës i qyteteve” mund të godasë Hënën në vitin 2032

James Webb zbulon: Asteroidi “vrasës i qyteteve” mund të godasë Hënën në vitin 2032

Teleskopi hapësinor James Webb ka rritur ndjeshëm saktësinë në vlerësimin e trajektores së një asteroidi potencialisht të rrezikshëm, të quajtur 2024 YR4, i cili megjithëse nuk paraqet rrezik për Tokën, mund të godasë Hënën më 22 dhjetor 2032.

Sipas NASA-s, probabiliteti i përplasjes me Hënën është rritur në 4.3%, krahasuar me 3.8% të raportuar më parë, pas analizave të para të bëra në mars. Asteroidi, me një diametër prej 53–67 metrash, është afërsisht sa lartësia e Kullës së Pizës dhe mjaftueshëm i madh për të shkatërruar një qytet nëse do të përplasej me Tokën, me një fuqi të krahasueshme me 500 bomba të Hiroshimës, sipas “Live Science”.

Për fat të mirë, vëzhgimet më të fundit e kanë përjashtuar mundësinë e një impakti me Tokën. Por Hëna nuk është aq me fat, pasi trajektorja e asteroidit vazhdon të përputhet me orbitën e saj.

Shkencëtarët thonë se një përplasje në Hënë nuk do të ishte shkatërruese, por do të krijonte një krater të ri të dukshëm, dhe një mundësi unike për të studiuar procesin e formimit të kratereve hënore nga një asteroid i njohur.

Asteroidi u zbulua për herë të parë në dhjetor 2024 dhe aktualisht po kalon nëpër sistemin e jashtëm diellor, jashtë fushës së teleskopëve tokësorë. James Webb e ka vëzhguar në dy raste, në prill dhe në maj, duke përdorur kohë emergjente të rezervuar për objekte të paparashikueshme.

NASA nuk ka konfirmuar ende nëse teleskopi do të përdoret sërish për ta vëzhguar objektin kur ai të kthehet pranë Tokës në vitin 2028, por pritet që ky të jetë një moment kyç për të rikonfirmuar kursin e tij përfundimtar dhe shanset e përplasjes me Hënën.

Një përplasje e mundshme në satelitin natyror të Tokës nuk do të ketë ndikim në jetën në Tokë, por mund të shërbejë si eksperiment i gjallë shkencor për studimin e mbrojtjes planetare dhe sjelljes së asteroideve.

Lajmi nga: Ariola Hasanaj
Ariola Hasanaj

Ariola Hasanaj

Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.

Komente

-