Izraeli godet reaktorin bërthamor Arak, Irani sulmon spitalin në Izrael

Izraeli godet reaktorin bërthamor Arak, Irani sulmon spitalin në Izrael

Përplasja ushtarake mes Iranit dhe Izraelit ka hyrë në ditën e shtatë, me një shkëmbim të ashpër sulmesh që ka përfshirë objektiva strategjikë dhe civilë në të dy vendet. Të enjten, një valë e re raketash iraniane goditi disa zona në Izrael, përfshirë spitalin “Soroka” në qytetin Beersheba, në jug të vendit. Irani deklaroi se objektivi i sulmit ishte një zonë ushtarake, por raportohet se dhjetëra persona janë plagosur, përfshirë katër në gjendje kritike.

Sulmet iraniane përfshinë gjithashtu zonat e Tel Avivit, Holonit dhe Ramat Ganit. Ekipet e emergjencës konfirmuan të paktën 50 të plagosur.

Në përgjigje, ushtria izraelite njoftoi se ka goditur dhjetëra objektiva në Iran, përfshirë reaktorin e rëndësishëm bërthamor me ujë të rëndë në Arak, i njohur tani si Khondab. Sipas ushtrisë izraelite, sulmi u përqendrua te "struktura e vulës së bërthamës së reaktorit", një komponent kyç në prodhimin e plutoniumit.

Media shtetërore iraniane raportoi se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan në zonën e Khondabit, dhe dy predha ranë pranë objektit. Zyrtarët iranianë thanë për televizionin shtetëror se ishin bërë evakuime paraprake dhe nuk është raportuar asnjë rrezik për rrezatim apo viktima. Nuk ka informacione zyrtare për dëme të mundshme në strukturën e reaktorit.

Këto zhvillime vijnë pasi Izraeli ndërmori një ofensivë të gjerë javën e kaluar, duke goditur objektiva ushtarake dhe bërthamore në Iran, ku mbetën të vrarë zyrtarë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë. Ndërkohë, Kombet e Bashkuara kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-