Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi të hënën se Izraeli nuk ka ndërmend të dëmtojë fizikisht banorët e Teheranit, duke sqaruar deklaratat e mëparshme që shkaktuan reagime të forta.
“Dua të sqaroj diçka që duhet të jetë e qartë: nuk kemi ndërmend të dëmtojmë fizikisht qytetarët e Teheranit, ndryshe nga ajo që po bën diktatori vrasës i Iranit me qytetarët e Izraelit,” shkroi Katz në platformën X.
Më herët, pas një serie sulmesh iraniane që lanë të paktën tetë civilë izraelitë të vdekur, Katz kishte paralajmëruar se “banorët e Teheranit do të paguajnë çmimin, dhe së shpejti,” për sulmet ndaj Izraelit.
Në sqarimin e mëvonshëm, ai shtoi se qytetarët e Teheranit “do të paguajnë çmimin e diktaturës dhe do të duhet të evakuohen nga zonat ku do të goditen objektiva të regjimit dhe infrastrukturë e sigurisë.”
Kryeqyteti iranian është vënë nën bombardime të rënda që nga nata e së premtes, kur Izraeli nisi ofensivën ndaj Iranit.
Sipas ushtrisë izraelite, në këto sulme janë vrarë disa komandantë të lartë ushtarakë iranianë, por ndërkohë janë goditur edhe civilë. Ministria e Shëndetësisë e Iranit raportoi të dielën se të paktën 224 persona janë vrarë në vend që nga fillimi i përshkallëzimit të dhunës.
Komente