Italia vijon të jetë partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, duke u pozicionuar si njëherazi blerësi dhe shitësi më i madh i mallrave në vendin tonë. Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se në pesë muajt e parë të vitit, tregtia me shtetin italian ka qenë e balancuar: 73.3 miliardë lekë eksporte dhe 77.5 miliardë lekë importe.
Italia furnizon Shqipërinë me produkte ushqimore, veshje, makineri dhe pajisje, ndërsa nga Shqipëria eksportohen kryesisht tekstile, këpucë dhe materiale ndërtimi.
Në total, eksportet shqiptare deri në maj u rritën me 2.1%, duke arritur në 168 miliardë lekë, të nxitura nga rritja e shitjeve të mineraleve, lëndëve djegëse, ushqimeve sezonale dhe produkteve të tekstilit.
Ndërkohë, importet shënuan rënie me 2.4%, duke zbritur në 355 miliardë lekë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pavarësisht rritjes së eksporteve dhe uljes së importeve, bilanci tregtar vijon të jetë negativ, me një deficit prej 187 miliardë lekësh për muajin e kaluar. Italia, megjithatë, mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së jashtme shqiptare.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente