Kim Keon-hee, ish-zonja e parë e Koresë së Jugut dhe bashkëshortja e ish-presidentit Yoon Suk-yeol, është shtruar në një spital në Seul për depresion të rëndë, në një kohë kur ndaj saj po zhvillohen hetime të gjera për korrupsion dhe manipulime politike. Sipas burimeve mjekësore, gjendja e saj është përkeqësuar ndjeshëm dhe është shoqëruar me episode hiperventilimi, duke kërkuar ndërhyrje të specializuar mjekësore.
Kim kishte nisur trajtimin ambulator javën e kaluar, por më 16 qershor u shtrua në spital. Ish-presidenti Yoon e vizitoi atë në mbrëmje, pas një seance në gjykatë.
Mandati i saj si zonjë e parë është shoqëruar me skandale të shumta, përfshirë dhurata luksoze si çanta Dior, Chanel dhe një gjerdan diamanti, që dyshohet se janë marrë në mënyrë të dyshimtë nga figura fetare dhe ndërmjetës politikë. Një ndër çështjet më të rëndësishme është akuzimi për përfshirje në manipulime zgjedhore nëpërmjet ndërhyrjeve në sondazhe dhe nominime politike.
Ndërkohë, Kim përballet edhe me pasoja akademike. Universiteti Sookmyung ka njoftuar ndryshime në rregulloren e brendshme që i hapin rrugë anulimit të diplomës së saj master të vitit 1999, pas konfirmimit të plagjiaturës në tezën e saj mbi piktorin Paul Klee. Anulimi i kësaj diplome rrezikon të tërheqë edhe doktoraturën e saj të vitit 2008 nga Universiteti Kookmin, pasi ajo bazohet në diplomën master.
Ndaj Kim Keon-hee është autorizuar një hetim i posaçëm me mbi 500 hetues, i udhëhequr nga ish-kryetari i Gjykatës së Qarkut Qendror të Seulit, Min Joong-ki. Hetimi përqendrohet në manipulime financiare, korrupsion dhe shkelje të tjera penale, në një kohë kur vendi ndodhet në klimë të tensionuar politike pas largimit të Yoon nga presidenca.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente