Irena Shabani promovon për herë të parë poezinë në Sarandë – “Letrat që nuk m’i dërgove kurrë” emocionon lexuesit

Irena Shabani promovon për herë të parë poezinë në Sarandë – “Letrat që nuk m’i dërgove kurrë” emocionon lexuesit

Gazetarja dhe tashmë poetja Irena Shabani ka zgjedhur Sarandën si vendin ku promovoi kalimin e saj në botën e poezisë. Në një atmosferë intime dhe të ngrohtë në ambientet e Qendrës Rinore, mes miqsh dhe dashamirës të letërsisë, u prezantua libri i saj i parë poetik, me titullin “Letrat që nuk m’i dërgove kurrë”.

Shabani theksoi se nuk i përket atyre që shkruajnë për të qenë poetë, por se poezia i vjen natyrshëm, si forma më e ndershme dhe e drejtpërdrejtë për të komunikuar ndjenjat dhe mesazhet me lexuesin.

Tryeza e promovimit, e rrethuar me vepra grafike arti, solli diskutime të thella rreth tematikave të trajtuara në libër. Sipas të pranishmëve, poezia e Shabanit është një takim i gjallë mes jetës, ndjesisë dhe mendimit racional, duke ofruar për secilin një përjetim të vetin dhe një pasqyrë të ndershme të realitetit shoqëror.

“Jam e lumtur që libri im është një mozaik emocionesh të jetës. Poezia është shpëtim. Po të mos ishte një gjini e rrezikuar, nuk do të ishte në mbrojtje të UNESCO-s. Në këtë botë gjithnjë e më teknologjike, është inkurajuese që njerëzit po i rikthehen shpirtit dhe poezisë,” – tha Shabani.

Gazetari dhe kritiku Ermir Hoxha e vlerësoi poezinë e saj për thellësinë, ndjeshmërinë dhe mesazhet e fuqishme që përcjell.

Në planet krijuese të autores është edhe një libër në prozë të gjatë, i cili është në fazën e fundit të dakordësisë me një shtëpi botuese dhe pritet të dalë në treg në Panairin e Librit në nëntor 2025. Për Irena Shabanin, Saranda mbetet një qytet poetik dhe emocionalisht i lidhur me krijimtarinë e saj.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-