Shqipëria ka shënuar një rekord historik në fluksin e investimeve të huaja direkte (IHD) për tremujorin e parë të vitit 2025. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–mars janë regjistruar 362 milionë euro investime, niveli më i lartë i arritur ndonjëherë për këtë periudhë tremujore.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, vlerësoi këtë arritje si një zhvillim strategjik për ekonominë shqiptare:
“Investimet e Huaja Direkte shënojnë rekord të ri në 3-mujorin e parë 2025. Me një fluks prej 362 milionë euro, ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë,” deklaroi ai.
Investitorët kryesorë dhe sektorët më të përfshirë
Sipas të dhënave zyrtare, investitorët më të mëdhenj gjatë këtij tremujori kanë qenë nga:
Turqia – 13,8%
Holanda – 13,5%
Italia – 12,7%
Austria – 8,6%
Gjermania – 7,7%
Sektori më i përthithur për kapitalin e huaj mbetet ai i pasurive të paluajtshme, me 28,7% të totalit të IHD-ve, duke dëshmuar një vazhdimësi të interesit për tregun e ndërtimit dhe pronave.
Pas tij renditen:
Financa dhe sigurimet – 20,7%
Industria nxjerrëse – 14,1%
Përpunimi dhe tregtia – 8,8% secili
Një sinjal pozitiv për klimën e biznesit
Ky nivel i lartë i investimeve vjen si një sinjal i qartë i besimit që investitorët e huaj po tregojnë ndaj klimës ekonomike dhe politike në Shqipëri. Ekspertët vlerësojnë se kjo rritje e kapitalit të huaj mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e vendeve të reja të punës, zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e teknologjisë në sektorë kyç të ekonomisë.
Gjithashtu, përforcimi i integrimit të vendit me tregjet ndërkombëtare shihet si një tjetër përfitim afatgjatë nga kjo rritje.
Komente