Bashkia Malësi e Madhe do të nisë gjatë këtij viti zbatimin e disa projekteve publike që synojnë përmirësimin e infrastrukturës në zonat me potencial turistik, si pjesë e mbështetjes për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit lokal.
Projektet financohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe do të përqendrohen kryesisht në modernizimin e ndriçimit rrugor, përmes përdorimit të teknologjive bashkëkohore dhe burimeve alternative të energjisë, përfshirë panelet diellore. Ndërhyrjet janë planifikuar të realizohen në disa nga destinacionet më të frekuentuara të bashkisë, si Razma, Boga dhe Reçi.
Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Tonin Marinaj, ka bërë të ditur se punimet pritet të nisin në fillim të vitit dhe synojnë rritjen e sigurisë dhe komoditetit për vizitorët, si edhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin vendas.
Sipas tij, investime të ngjashme janë zbatuar më herët edhe në zona të tjera të bashkisë, përfshirë Vermoshin, ku rezultatet kanë qenë pozitive. Ndërhyrjet do të shtrihen edhe në zona të tjera që kanë nevojë për mirëmbajtje apo përmirësime infrastrukturore.
Autoritetet lokale vlerësojnë se këto projekte do të rrisin atraktivitetin e Malësisë së Madhe si destinacion turistik gjatë gjithë vitit, duke dhënë njëkohësisht një kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.
Komente