Inspektorati i Punës intensifikon kontrollet në sektorin e turizmit -  Gjoba dhe pezullime për shkeljet e rënda

Inspektorati i Punës intensifikon kontrollet në sektorin e turizmit - Gjoba dhe pezullime për shkeljet e rënda

Tiranë, 10 korrik 2025 – Inspektorati Shtetëror i Punës po zhvillon kontrolle të përditshme në të gjithë vendin, me fokus kryesor sektorin e turizmit, në kuadër të një plani masash të posaçëm.

Qëllimi i inspektimeve është garantimi i kushteve të sigurta të punës dhe mbrojtja e të drejtave të punonjësve, duke siguruar një treg pune të ligjshëm dhe të rregullt.

Nga kontrollet e kryera deri tani janë marrë masa të menjëhershme, përfshirë pezullimin e aktivitetit për subjektet që kanë kryer shkelje të rënda ligjore. Inspektorati kërkon që marrëdhëniet e punës të formalizohen para përfundimit të procesit të inspektimit, për të garantuar mbrojtjen ligjore të punonjësve.

Gjithashtu, janë vendosur gjoba dhe janë dhënë detyra konkrete për përmirësimin e kushteve të punës dhe zbatimin e rregullave të sigurisë në vendin e punës.

Inspektorati thekson se siguria e punonjësve është prioritet, veçanërisht në sektorët që përballen me fluks të lartë gjatë sezonit turistik.

“Kontrollet dhe monitorimi do të vijojnë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit. Një turizëm i suksesshëm është i lidhur ngushtë me një mjedis pune të ligjshëm, të sigurt dhe me dinjitet për të gjithë,” njofton Inspektorati Shtetëror i Punës.

Lajmi nga: Gentian Kellçiu
Gentian Kellçiu

Gentian Kellçiu

Gentjan Kellçiu është gazetar dhe moderator nga Vlora, i njohur për raportimet e tij në terren dhe drejtimin e emisioneve informative. Aktualisht ai drejton emisionin e mëngjesit “Agon Blu” në Blu TV.

Komente

-